Bie prodhimi i ullirit në Berat, fermerët: Viti i vështirë, plehrat kanë çmime të larta

0
4

Edhe pse zona e Bilçës dhe fshatrat përreth njihen për prodhimin masiv të ullirit në qarkun e Beratit, prej më shumë se dy vitesh prodhimi ka pësuar rënie të ndjeshme.

Çdo familje në zonë numëron deri në 500 rrënjë ullinj, por kushtet klimatike bëjnë që nga viti në vit shpresa për sigurimin e të ardhurave të venitet.

Ky sezon konsiderohet ndër më të dobëtit. Mungesa e të ardhurave po ul edhe shërbimet e domosdoshme ndaj parcelave të kultivuara me ullinj, ku tashmë nuk bëhet më fjalë për investime që lehtësojnë punën e fermerëve, të cilët kryesisht janë të moshuar pas emigrimit të të rinjve.

  • ‘Kemi 300 rrënjë dhe nuk morëm asnjë kokërr ullinj, se nuk  prodhuan, plehë i hodhëm. Plehrat janë me çmim të lartë’, tha një fermere.
  • ‘Gjendja është e dobët këtë vit, çoi lule dhe nuk i mbajti, unë si kam vjel fare këtë vit. Shumë pak do marrë, kam 300 rrënjë, u bënë nga dy vite që nuk kemi marrë prodhim’, tha një fermere.

Bilça numëron 270 mijë rrënjë ullinj, që deri tani kanë qenë e ardhura kryesore për banorët e zonës.