Është rënduar bilanci i ngjarjes së ndodhur në Gjermani, ku një makinë u fut në tregun e Krishtlindjeve të qytetit Magdeburg duke marrë përpara turmën.
Të dhënat e para nga mediat gjermane flasin për të paktën dy të vdekur dhe 80 të plagosur, shumë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
BILD raporton se shoferi u arrestua menjëherë pas sulmit, ndërsa WELT duke cituar burime sigurie pretendon se agresori është një burrë nga Arabia Saudite, që punonte si mjek në Gjermani. Ai është 50 vjeç dhe mësohet se kishte marrë me qira automjetin e tij pak para sulmit.
Ndërkohë, zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe dyshohet se brenda makinës të llojit “BMË” ndodhet eksploziv, i pashpërthyer.
Sakaq, ekipet e shpëtimit kanë ngritur çadra në treg për t’i dhënë ndihmën e parë të lënduarve pranë bashkisë së qytetit, në rrjedhën e lumit Elba. Në ndihmë të autoriteteve lokale në Magdeburg janë nisur edhe autoambulanca, por edhe helikopterë shpëtimi nga qyteti i Halle.
Videot që po qarkullojnë në mediat sociale tregojnë makinën që kalon me shpejtësi mes përmes turmës, ndërsa njerëzit vrapojnë në panik për të shpëtuar. Raportohet ndërkohë se makina ka ecur për të paktën 400 metra në treg.
Në mediat gjermane, dëshmitarët okularë thonë se makina e agresorit pasi ka kaluar barrierat ka marrë para disa familje, ndërsa drejtuesi ecte në mënyrë zigzag për të goditur sa më shumë njerëz.
Në komentin e parë për ngjarjen, kryeministri i rajonit Saksoni-Anhalt, Rainer Hasselof theksoi se është “një ngjarje e tmerrshme, sidomos tani në ditët para Krishtlindjeve“.
Sipas përfaqësuesit të qeverisë së rajonit Saksoni-Anhalt, Matthias Suppe, është “një sulm i dukshëm terrorist”. Edhe përfaqësuesi i qytetit, Marcel Reif, tha se sipas informacioneve të para bëhej fjalë për një sulm.
Ndërsa, Kancelari Olaf Scholz reagoi në platformën ‘X’ se “raportet nga Magdeburgu tregojnë diçka të keqe.
“Mendimet e mia shkojnë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë pranë jush dhe popullit të Magdeburgut. Falënderimet e mia shkojnë për shpëtimtarët e përkushtuar në këto orë fatkeqësie”, shkroi ai.
Kandidati për kancelar i CDU, Friedrich Merz, reagoi duke thënë se “lajmet nga Magdeburgu janë shumë dëshpëruese”.
Kryetarja e AfD, Alice Weidel i cilësoi po ashtu këto imazhe si tronditëse , duke kërkuar llogari përmes pyetjes: “Kur do të përfundojë kjo çmenduri?“. (A2