14.3 C
Elbasan
Ballina SPORT Bilanci kundër kultivimit të kanabisit, Proda: 106 të arrestuar, mes tyre punonjës...

Bilanci kundër kultivimit të kanabisit, Proda: 106 të arrestuar, mes tyre punonjës të OSHEE-së

0
2

Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në konferencën me departamentin e Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Italisë bëri një analizë të punës së deritanishme për luftën kundër kultivimit të kanabisit

Ai tha se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, 104 procedime penale janë regjistruar për rastet e kultivimit të drogës.

Proda bëri me dije se lufta kundër këtij fenomeni është intensifikuar, duke shkatërruar 10 ambiente të përgatitura me llamba për kultivim dhe 3 ambiente në tentativë. Nga operacionet rezultuan të arrestuar 30 persona, përfshirë edhe punonjës të OSHEE-së, të përfshirë në këto raste.

Sipas Prodës, kjo punë nuk mund të bëhet e vetme dhe kërkon bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional. Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2025, në total u arrestuan 106 persona për kultivim droge, një ulje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 238 raste.

“Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit ka kryer 217,119 kontrolle, të realizuara në 330,431 orë shërbimi. Objektet e kontrolluara përfshijnë serra, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura.

Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje, ndërsa sistemi elektronik GIZ Narkotik ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e situatës së kultivimit të kanabisit. Një ndihmë e madhe për terrenet e vështira erdhi nga Ministria e Mbrojtjes, me vendosjen në dispozicion të helikopterëve për transportimin e forcave policore në zonat ku ishte e pamundur të shkohej këmbë. Dua të falënderoj Shefin e Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Kingjin, për mbështetjen e dhënë Policisë së Shtetit.

Policia nuk u mjaftua vetëm me kontrolle nga toka apo ajri, as me djegien e fidanëve ose bimëve të kanabisit, por punoi me vendosmëri struktura e policisë kriminale, duke siguruar informacion policor dhe nisur hetime proaktive. Gjatë dhjetëmujorit të vitit 2025 janë regjistruar 6,917 informacione policore mbi kultivimin e bimëve narkotike dhe janë nisur 104 procedime proaktive. Një punë e mirë parandaluese u bë edhe në drejtim të goditjes së farave të kanabisit, ku në 16 raste u sekuestruan 10,798 fara. Lufta kundër këtij fenomeni u intensifikua edhe në tentativat për kultivim në ambiente të mbyllura, duke evidentuar dhe shkatërruar 10 ambiente të përgatitura për kultivim dhe 3 ambiente në tentativë. Për këto raste janë arrestuar dhe proceduar 31 persona, mes tyre edhe punonjës të OSHEE-së, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Kjo luftë nuk mund të bëhet e vetme. Bashkëpunimi ndërkombëtar, sidomos me Guardia di Finanza, ka dhënë rezultate pozitive dhe të prekshme.

Gjatë dhjetëmujorit të parë të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203,960 bimë kanabis, nga të cilat 106,894 bimë nga monitorimi ajror dhe 97,066 bimë nga kontrollet në terren. Qarku i Shkodrës mbetet me risk më të lartë, me 105,591 bimë të asgjësuara. Gjithashtu, janë asgjësuar 17,047 fidanë të dyshuar kanabis. Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit kanë evidentuar 580 raste kultivimi, me 191 shtetas të implikuar: 106 janë arrestuar, 36 ndaluar, 17 proceduar në gjendje të lirë dhe 32 shpallur në kërkim.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, 2025 shënon ulje me 132 raste të kultivimit, 58,317 bimë narkotike më pak të evidentuara dhe 71,873 fidanë më pak. Ka pasur rritje të procedimeve penale me 7 autorë kultivimi më shumë dhe 60 punonjës të proceduar për shpërdorim detyre. Integriteti dhe vendosmëria e policisë kanë qenë themeli i suksesit. Gjatë këtij viti janë proceduar penalisht 163 shtetas për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi, përfshirë kryepleq, administratorë fshatrash, punonjës të OSHEE-së, punonjës të strukturave pyjore dhe të tjerë.”, tha Proda.

 

© BalkanWeb