Bindja Demokratike fillon fushatën nga Elbasani. Patozi dhe Murataj: Të rinjtë do të sjellin rrotacionin politik të dëshiruar

0
138

Kryetari Bindjes Demokratike Astrit Patozi ishte i pranishëm në Elbasan ku bëri prezantimin zyrtarë me të gjithë kandidatët që do të përfaqësojnë këtë forcë politike në zgjedhje e 25 Prillit në qarkun e Elbasanit.

Patozi vlerësoi formimin e një ekipi me emra të rinj të cilët sipas tij do jenë ekipi më I mirë në Shqipëri që do të sjellë rrotacionin e dëshiruar në politikë.

“Unë kam një kënaqësi të veçantë sot që jam në Elbasan dhe arsyeja është që është absolutisht ekipi më i ri  përfaqësues i Bindjes Demokratike  në të gjitha qarqet e Shqipërisë! Kam përshtypjen se duhet të jetë edhe në nivel kombëtar, përfshirë këtu edhe partitë e tjera dhe kam besim se kjo shpreh vrullin dhe entuziazmin e rinisë shqiptare për të arritur ndryshimin pas një depresioni politik të shkaktuar kryesisht nga partitë e vjetra,” tha Patozi.

Patozi nuk la pa përmendur edhe incidentin e ndodhur në Elbasan me rastin e ditës së Verës ku vuri theksin në faktin se të dyja partitë e përfshira në incident janë fajtore njesoj.

“Ne vijmë sot në Elbasan dy ditë pas një incidenti të shëmtuar I cili ndodhi ditën e Verës  dhe mendoj se ende nuk është shuar në qytet jehona apo shija e keqe e asaj qe la pas dhe  mendoj që është një provë e qartë, pse, jo vetëm Elbasani por të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të zgjedhin të renë ,nuk duhet të zgjedhin forcat e vjetra politike të cilat i kanë shkaktuar probleme të mëdha vendit. I kanë shkaktuar kriza të njëpasnjëshme e mbi të gjitha incidente të shëmtuara si ajo. Besoj se Elbasani është një qytet ku festohet ndoshta prej 200 vjetësh Dita e Verës dhe nuk kishte ndodhur një ngjarje e tillë,  u desh të vinte viti 2021 që ne ta shikonim apo ta përjetonim atë dhe nuk ka asnjë vlerë debate që ata bëjne sot se kush e kishte fajin? Kush qëlloi i pari ? Kush i ktheu përgjigje sepse në të gjitha rastet shëmtia u mbetet të dy palëve dhe ne mendojmë që Bindja Demokratike është alternative e 3-të që I paraqitet shqiptarëve si zgjidhja e duhur për të arritur ndryshimin,” vazhdoi ai.

Ajo që e bën të ndryshme Bindjen Demokratike nga partitë e tjera është fakti se kjo parti kandidon me lista të hapura dhe qytetarët mund të votojnë emrin dhe jo siglën.

“Ne konkurojmë në këto zgjedhje jo vetëm  me ekipin më të ri dhe përfaqësues në Elbasan por besoj edhe me strategjine dhe vizionin më të mirë politik nga të gjithë garuesit e tjerë. Ne e bazojmë suksesin tonë në 3 kollona dhe këto janë së pari projekti. Projekti i ri për ndryshim dhe jo thjeshtë për rrotacionin . Së dyti, në ekipin përfaqësues që është katërcipërisht i pastër ,me integritetin e figurës së të gjithë kandidatëve , së 153 kandidatëve kudo në Shqipëri e sidomos në Elbasan ku shumica e tyrë janë të rinj .Dhe mbi të gjitha tek lista e hapur. Lista e hapur është risia e këtyre zgjedhjeve .Në Elbasan apo kudo në Shqipëri nuk ka asnjë rëndësi  numri rendor I kandidatëve tanë sepse të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë kanë atribute të njëjta dhe të gjithë janë miq me njëri tjetrin.Unë besoj se nga Elbasani ne japim një mesazh të mirë për Shqipërine me ekipin më të ri përfaqësues me të cilin unë kam besim të plotë se ne do të arrijmë sukses,” tha Patozi.

Për koordinatorin e njëkohësisht kandidatin e Bindjes Demokratike për qarkun e Elbasanit, Erion Murataj kushdo që mendon se mund të ndali frymën e re dhe ndryshimin politik që do të përfaqësoj ajo që do të vij pas 25 Prillit, gabohet.

“Unë i them sot që “Nuk ka luftë që nuk fitojnë të rinjtë”. Kushdo që mendon se mund të ndali frymën e re dhe ndryshimin politik që do të përfaqësoj ajo që do të vij pas 25 Prillit e ka shumë gabim. Ne jemi jo thjeshtë një alternativë sfiduese e dy kampeve ,pasi dy janë kampet  pavarësisht se tre janë forcat politike por janë dy kampe të cilat Shqipërisë I kanë dhënë vetëm dhe vetëm prapambetje. I kanë dhënë porgres raporte të nxira , I kanë dhënë mbi 30 vite tranzicion dhe sot nuk kanë se çfarë t’iu ofrojnë më qytetarëve,” tha Erion Murataj.

Bindja Demokratike do të garojë  në qarkun e Elbasanit me 15 emra kandidatësh.