Një sërë biznesesh në Tiranë ngrenë shqetësimin se bllokimi i llogarive nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore me arsyetimin e mospagimit brenda afatit të taksës shtesë së ndërtesës për vitin 2023, është bërë pa të drejtë, pasi ata nuk janë njoftuar prej institucionit për detyrime të papaguara.
Përveç masës shtrënguese të mbylljes së llogarive në prag të festave zyrtare të 28-29 Nëntorit, subjektet pohojnë me shqetësim se edhe masa e gjobës së vendosur është e lartë, duke arritur deri në 9% të totalit të detyrimit të krijuar pas muajit korrik 2023.
Një subjekti në Tiranë, sipas njoftimit të nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, Drejtoria e Vlerësimit dhe Kontrollit më 26 Nëntor 2024, i është llogaritur, si detyrim tatimor i vitit 2024 shumë prej 365,4 mijë lekë.
Në njoftim thuhet se ky detyrim ka lindur pas hyrjes në fuqi të VKM nr.132 “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme”. Për shkak të mospagimit në kohë të tij, subjektit i është vendosur gjoba në masën 31,9 mijë lekë apo rreth 9% e detyrimit për t’u paguar për 2023.
“Në zbatim të Ligjit nr. 9632, dt. 30.10.2006 “Për Sistemin e Taksave Vendore” me ndryshimet e fundit, VKM nr.132 dt.07.03.2018 Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës. Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.158 dt. 26.12.2019 Për Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në qytetin e Tiranës me ndryshimet përkatëse dhe Ligjit nr.9920 dt.19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë me ndryshimet përkatëse, detyrimet tuaja tatimore për Taksat dhe Tarifat Vendore janë si më poshtë”, përcaktohet në njoftim për llojin e detyrimit tatimor shtesë.
Për detyrimet e lindura pas datës 30 Qershor, afati i pagesës është 30 ditë nga data e lindjes së detyrimit, përcaktohet gjithashtu në njoftimin dërguar subjekteve.
Përfaqësuesi i këtij biznesi pohon se nuk është njoftuar më parë nga Bashkia e Tiranës për detyrimin shtesë për taksën e ndërtesës. Ai thotë se teksa e kishte mbyllur pagesën për këtë detyrim që në muajin Qershor të 2023-it, nuk e kishte parë të nevojshme të kontrollonte njoftimet në portalin e-Albania për taksat vendore.
“Nuk prisja se do të përballesha me këtë masë ekstreme, siç është bllokimi i llogarisë, pasi deri në muajin Nëntor nuk ka pasur asnjë njoftim. Detyrimi për 2023-n për këtë taksë është mbyllur që në muajin Qershor 2023. Nuk kemi marrë njoftim të ri për detyrim shtesë. Edhe vlera e gjobës së vendosur është tepër e lartë”, pohon ai.
Edhe kontabilistët shpjegojnë që njoftimi në e-Albania nuk pasqyrohet si njoftim i ri, por duhet të hysh te rubrika për taksat e bashkisë, që të shihet. Por në situatën kur bizneset i kanë mbyllur detyrimet për këtë taksë që në muajin Qershor 2023 edhe kontabilistët vlerësojnë se nuk e kanë parë të domosdoshme t’i kontrollonin.
Një tjetër subjekt po ashtu sipas njoftimit të dërguar më 26 nëntor nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, Drejtoria e Vlerësimit dhe Kontrollit i janë llogaritur si detyrime të mëparshme nga taksa e ndërtesës 16,8 mijë lekë. Ndërsa për mospagimin e tyre në kohë i është llogaritur gjoba me vlerë 567 lekë apo rreth 3,5% e detyrimit.
Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore: Bizneset u njoftuan në e-Albania 60 ditë para përfundimit të afatit.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore është pohuar për Monitor se për detyrimin shtesë të taksës së ndërtesës pas hyrjes në fuqi në muajin korrik të VKM-së me rritjen e çmimeve të referencës, bizneset janë njoftuar si me njoftim dërguar në adresat e deklaruara, por edhe nëpërmjet e-Albania. Drejtoria e taksave dhe Tarifave Vendore sqaron se çdo biznes në llogarinë e tij të biznesit në e-Albania e ka pasur detyrimin të aksesueshëm që në fund të muajit Korrik 2024, pra 60 ditë para përfundimit të afatit që ishte data 30 Qershor.
“Duam të sqarojmë që nga ana jonë nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme! Ndryshimet ligjore ndodhin herë pas here për shkak të nevojës dhe patjetër që për këto ndryshime, çdokush, çdo biznes apo qytetar, njoftohet në kohë. Bazuar në ndryshimet e Vendimit numër 457, datë 26.7.2023 të Këshillit të Ministrave për çmimet e referencës mbi pronën e paluajtshme të tipit ndërtesë dhe në zbatim të Vendimit numër 35, datë 28.03.2024, të Këshillit Bashkiak Tiranë, detyrimet vendore shtesë të vitit 2023 erdhën për shkak të ndryshimeve nënligjore të sipërcituara.
Ndodhur në kushtet kur Vendimi numër 457, datë 26.7.2023 i Këshillit të Ministrave, ka hyrë në fuqi pasi kishin kaluar afatet e njoftimit të detyrimeve vendore për vitin 2023, rrjedhimisht duke gjeneruar detyrime shtesë për pjesën e mbetur të vitit 2023 për shkak të ndryshimit të çmimeve mesatare referuese për ndërtesat, janë njoftuar bizneset se këto detyrime vendore të vitit 2023 duhet të shlyhen deri më datë 30 Shtator 2024, në përputhje me Vendimin numër 35, datë 28.03.2024, të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Lajmërimi është bërë me rrugë postare, që është dhe rruga standarde periodike ku të gjithë bizneset njoftohen në adresat e deklaruara pranë Drejtorisë tonë apo Qendrës Kombëtare të Biznesit. Pra, është shumë e nevojshme që të gjithë bizneset apo subjektet të vetëdeklarojnë adresat e tyre, të jenë të sakta në mënyrë që të lajmërohen në kohë për të gjitha ndryshimet apo për të gjithë detyrimet që mund të kenë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore. Por jo vetëm rruga postare, çdo biznes në llogarinë e tij të biznesit në portalin unik qeveritar e-Albania e ka pasur detyrimin të aksesueshëm që në fund të muajit Korrik 2024, pra janë njoftuar jo vetëm në kohë por edhe i është lënë 60 ditë afat për të paguar, pa lindur gjoba dhe kamatëvonesa apo penalitete të thëna ndryshe. Ne kemi përdorur çdo mjet komunikimi, që çdokush të lajmërohej në kohë për detyrimin dhe në këtë mënyrë të kishin mundësi për t’i paguar po në kohë”, sqaron drejtoria taksave dhe tarifave vendore.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tatimeve Vendore pohohet se pjesa më e madhe e biznesit ka arritur të marrë këtë njoftim dhe ta vërë në zbatim.
“Shumë subjekte kanë paguar, madje nuk kanë paguar as gjoba dhe kamatëvonesa sepse kanë shlyer detyrimet brenda këtij 60 ditësh që ju është lënë afat. Të gjithë bizneset apo subjektet që janë përballur me këto masa shtrënguese, ka qenë një zgjedhje e tyre. Pra ata nuk kanë paguar detyrimet, rrjedhimisht janë debitorë dhe është marrë kjo masë shtrënguese”.
Pse u rrit detyrimi
Pas rritjes së çmimeve të referencës së apartamenteve në korrik të vitit 2023, bizneseve iu rrit automatikisht detyrimi për taksën e ndërtesës, pasi vlera llogaritet mbi vlerën e ndërtesës.
Rritja e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës, shtrenjtoi automatikisht detyrimin për taksën e ndërtesës, si për bizneset dhe familjarët. Për bizneset formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Bizneset në Tiranë, detyrimi vjetor për taksën e ndërtesës e paguajnë me 2 këste, ndryshe nga familjarët që paguhet çdo muaj nëpërmjet faturës së ujit të pijshëm. Afati i pagesës për këstin e parë është muaji prill dhe për këstin e dytë muaji qershor.
Rritja e detyrimit për bizneset dhe familjarët nisi zbatimin nga 1 Gushti 2023. Duke qene se bizneset kishin mbyllur pagesat për taksën e ndërtesës, detyrimi shtesë që u krijua te subjektet për periudhën nga 1 gushti deri në 31 dhjetor 2023, i quajtur dhe si kësti i tretë, u përcaktua me vendim nr.35, datë 28.03.2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.158, datë 26.12.2019, të Këshillit Bashkiak, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar të shlyhej brenda muajit Shtator 2024.
“16. Në Kreun XVI “Dispozitat kalimtare dhe të fundit” shtohet neni 78/1, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Neni 78/1 1. Përjashtimisht, detyrimet shtesë që kanë lindur si rezultat i hyrjes në fuqi të vendimit nr. 457, datë 26.07.2023, të Këshillit të Ministrave “ Për disa ndryshime në vendimin nr.132, datë 07.03.2018, të Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar, duhet të shlyhen brenda datës 30 shtator 2024.”/Monitor/