Për 3 dekada pas rënies së komunizmit, ideja më e zakonshme për të hapur një biznes kishte të bënte me kafenetë dhe marketet me shumicë e pakicë. Aq sa me gati 19 mijë bare dhe restorante, Shqipëria të kthehej në vendin numër një në botë për lokale për frymë.
Megjithatë, një trend i nisur gjatë pandemisë dhe që po vazhdon edhe sot, tregon se sipërmarrësit shqiptarë po i largohen këtyre bizneseve që sillnin pak të ardhura, për t’u orientuar në biznese të reja dhe më të veçanta, kryesisht në fushën e shërbimeve.
Vetëm në kryeqytet, numërohen 22,613 njësi shërbimi në fillim të këtij viti, me rritjen më të fortë krahasuar me të gjitha kategoritë e tjera. Këtu përfshihen agjencitë e udhëtimit, agjencitë imobiliare, palestrat, lavanteritë, kurset e ndryshme, shërbimet e riparimit, e shumë të tjera.
Ndërsa nga ana tjetër, bizneset e reja të regjistruara në kategorinë e shitjeve me pakicë, ku klasifikohen pikërisht lokalet dhe marketet, në vitin 2022 shënuan numrin më të ulët prej së paku një dekade, me më pak se 2 mijë NIPT-e të reja. Në vitin 2016, kjo shifër ishte madje mbi 5200 biznese të këtij lloji.Përgjatë këtyre viteve të fundit, kryeqyteti numër po ashtu më shumë subjekte ndërtimi, më shumë profesionistë të lirë si dentistët dhe noterët, më shumë biznese në fushën e transportit, ndërsa ka arritur të mbajë konstant numrin e njësive të prodhimit, ku përfshihen mobileritë, furrat e bukës, pastiçeritë, etj. Sipas të dhënave të Eurostat, modeli i biznesit që Shqipëria ndiqte deri dje prodhonte më pak të ardhura për punonjës, se kudo në Europë, diçka që në gjuhën ekonomike quhet produktiviteti i ulët.