Bizneseve u shkon njoftimi për kontrolle nga tatimet, për TVSH-në dhe deklarimin e shitjeve reale

0
418

Shumë bizneseve u ka shkuar ditët e fundit një njoftim për kontroll të aktivitetit të tyre, ku në fokus do të jetë verifikimi i pagesës së TVSH-së dhe nxitja e tatimpaguesve për të vetëdeklaruar shitjet reale.

Në urdhrin për kryerjen e verifikimit në vend thuhet: “Ju njoftojmě se inspektori pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, do të ushtrojnë kontroll pranë ambienteve të shoqërisë Tuaj. Ky kontroll ushtrohet duke u bazuar në Ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe Udhëzimit Nr. 24 date 02.06.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, 80.3, gërma “e:” “Verifikimet në vend:

Objekti dhe qëllimi i kontrollit:

  1. Verifikim i pagesës së TVSH-së, kontroll me zgjedhje i faktorëve ndikues,
  2. Nxitja e tatimpaguesve për të vetëdeklaruar shitjet reale, shlyerja e detyrimeve tatimore papaguara në kohë reale sipas të dhënave të sistemit.
  3. Në rast konstatimi të nivelit të pagesës së ulët të TVSH-së të pajustifikuar nga analiza e faktorëve që ndikojnë dhe mospërmirësimit të treguesve të vetëdeklaruara, të propozohet për kontroll të thelluar,

Në nenet 30 deri 38 të ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë keni në mënyrë shumë konkrete të drejtat më kryesore të tatimpaguesit, si të drejtën për informim dhe asistencë, të drejtën për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave, të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën për t’u përfaqësuar, të drejtën për t’u ankimuar, etj”, përfundon njoftimi i tatimeve.

Si rrjedhojë e situatës së krijuar prej pandemisë të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë shënuar një rënie të ndjeshme gjatë këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-gusht ishin 10% më të ulëta në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, tatimet e doganat mblodhën 81 miliardë lekë nga TVSH në 9 mujorin 2020, në krahasim me 90 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë.

TVSh është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet, duke sjellë mesatarisht rreth 30% të totalit.