Biznesmenë të fuqishëm, bashkëpunëtorë dhe familjarë! Dosja për Erion Veliaj: Kryebashkiaku u dha leje në Tiranë, ndërtuesit ia mbushën xhepat me para (EMRAT)

0
2

28 persona, shoqëri tregtare dhe OJF janë të pandehur bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten Ajola Xoxa janë të pandehur në dosjen e Prokurorisë së Posaçme. Hetimet kanë përfunduar brenda afateve dhe dosja voluminoze është dërguar për gjykim.

Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.

Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak  të funksionit që kryen shtetasi Erion Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt  edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë  (përmendur më sipër) që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Nga provat e administruara ka rezultuar gjithashtu e provuar se këta të pandehur, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim me OJF-të e përmendura dhe persona të tjerë, më shumë se një herë, kanë integruar në sistemin bankar shuma monetare të siguruara si përfitime të parregullta, për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë.