Biznesmeni i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës.
Burime për mediat bëjnë të ditur se Pacolli po pyetet për një çështje në hetim, lidhur me aeroportin e Vlorës.
Burime kanë bërë me dije se Pacolli është kallëzues, por gjithashtu dhe i kallëzuar nga Valon Ademi, i cili është pronar i kompanisë ‘2A Group’, gjithashtu aksionere në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Aktualisht, Behgjet Pacolli po merret në pyetje nga prokurori Ndini Tavani.
Javët e fundit Pacolli ka patur përplasje me ortakët e tij, pjesë të koncesionarit që po ndërton aeroportin.
DOSJA E AEROPORTIT
Lidhur me këtë ngjarje gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, u shpreh se sherri dhe akuzat mes aksionerëve të aeroportit të Vlorës, tregoi se tashmë po mbahet peng një investim strategjik që pritej t’i sillte zhvillim zonës, por tashmë që kjo dosje ka përfunduar në gjykatë, nuk dihet se kur do të përfundojë.
Sipas Tomorrit, asetet strategjike nuk mund t’u jepen sekserëve dhe biznesmenëve të tipit si Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.
“Ajo që po ndodh është se çështja ka shkuar në prokurori ku palët akuzojnë njëra-tjetrën. Valon Ademi ka bërë kallëzim penal për Behgjet Pacollin.
Pacolli ka bërë kallëzim penal ndaj noteres dhe ish-administratorit për mashtrime, lidhur me shitjen e aksioneve. Thuhet se është një kontratë noteriale.
Ky është një sherr që mban të bllokuar një aset strategjik që mban peng ekonominë. Sot qytetarët shqiptarë nuk kanë një aeroport në Vlorë, nuk ka aeroport që do t’i sillte zhvillim se dy aksionerë zihen për mashtrime.
Kjo në finale na tregon se asetet strategjike nuk mund t’u jepen sekserëve dhe biznesmenëve të tipit të atyre të dyve që janë ortakë.

