“Bjeshkët shqiptare ofrojnë shumë mundësi për të krijuar një legjendë turistike”, u shpreh sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Në kuadër të promovimit të turizmit, të vlerave natyrore të Parkut Natyror Korab-Koritnik dhe vlerave historike, kulturore e gastronomike të zonës, nga bashkia Kukës dhe Këshilli i Qarkut Kukës u organizua një ditë promovuese e festive në Bjeshkët e Bushtricës.
I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, vlerësoi pasionin e kësaj zone për të mbrojtur traditën.
“Sa shumë pasion ka kjo zonë për të mbrojtur traditën, për të ruajtur familjen dhe njeri-tjetrin. Kjo është një festë e veçantë e organizuar me shumë pasion dhe vizion”, tha ai.
Klosi theksoi se, “kjo zonë ofron shumë mundësi për të krijuar një legjendë turistike”.
“Për të filluar këtu një rrugëtim në gjithë bjeshkët shqiptare. Themi Bjeshkët Shqiptare pasi Alpet, bjeshkët i kemi cilësuar si një destinacion unik shqiptar, që nuk e kanë vendet e tjera. Nuk e ka asnje vend në rajon këtë madhështi dhe këtë bukuri”, tha ai.atsh