“Blejnë një vesh rrush, 2 qepë e 1 tufë sallatë”. Bie konsumi, tregtarja, Ka vetëm pleqëri

0
2

Një nga tregtarët pranë tregut “Dinamo” në kryeqytet, ku gazetarja Anxhela Celibashi ndodhej për të parë nëse çmimet e shportës janë rritur apo jo këtë fundvit, tha për A2 CNN se konsumi është shumë i ulët pasi për qytetarët janë të papërballueshme blerja e frutave apo perimeve jo të stinës.

“Konsumi i përditshëm është shumë shumë pak. Ka shumë pleqëri, rini nuk ka. Blejnë këto të zakonshmet, të përditshmet, por nuk ka konsum. Ato marrin qepën nga dy kokrra, dy karota, një tufë sallatë. Sa vjen ajo, 100-200 gram. Jo më shumë”, u shpreh tregtarja për  mikrofonin e A2 CNN.

Ajo tregoi se në tezgën ku ajo tregton prej 30 vitesh interesi për prodhime jashtë sezonit, si për shembull rrushi apo ndonjë tjetër lloj fruti është tepër i ulët.

“Është shumë tregu i varfër dhe nëse nuk është i stinës dhe është shumë shtrenjtë. Blihet shumë pak. Më shumë të bie ta hedhësh sesa ta shesësh. Blejnë një vesh rrush, sasi shumë pak. Nuk është se e konsumojnë se është i shtrenjtë”, tha tregtarja për A2 CNN.

Ajo nënvizon se vitet e mëhershme në treg kur konsumi ka qenë shumë herë më i lartë, i duken thuajse sikur i ka kaluar në ëndërr.