Sipërmarrësit dhe fermerët që operojnë në sektorin e bletarisë, do të përfshihen për herë të parë në mbështetjen financiare me grante nga programi IPARD III.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha për ATSH-në, se “bletaria është në fokus të punës tonë, jo vetëm sepse është një sektor në traditën shqiptare por bletaria luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e konsumatorëve, pasi mjalti dhe produktet e tjera që prodhohen nga bletaria kanë veti kuruese”.
Sipas ministres, aktualisht janë hedhur hapat e duhur ndaj kërkesës së bletarëve për të pasur një ligj të tyre, një e drejtë shumë e rëndësishme të cilën e kemi jetësuar në pr.ligjin e ri, i cili është gati dhe është dakordësuar me grupet e interesit.
Krifca vuri në dukje se, paralelisht me mbështetjen ligjore nuk do të mungojë edhe zgjerimi i mbështetjes financiare për këtë sektor.
“Krahas Skemës Kombëtare vitin që vjen bletarët do të përfitojnë grante nga Programi IPARD III”, tha Krifca, teksa shtoi se, ekipi i AZHBR-së, po punon me ritëm për modalitetet e masave të reja mbështetëse në sektorë të ndryshëm të bujqësisë për zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit.
Përmes programit IPARD III, sipërmarrjet në sektorin e bletarisë do të përfitojnë 50% mbështetje financiare për investimet që do të ndërmarrin në drejtimin të ngritjes së pikave të grumbullimit të mjaltit apo në implementimin e teknologjive të reja që rrisin sigurinë e cilësinë e produktit të mjaltit.
Bletaria renditet e dyta, pas blegtorisë për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022.
Këtë vit shënohen 1229 bletarë aplikantë të kualifikuar përfitues të financimit, ose 20% më shumë se vitin e kaluar.
Bletarët përfitojnë subvencionim nga 1 mijë lekë për zgjua, për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere, por jo më shumë se 150 mijë lekë për subjekt. Ndërsa Programi IPARD III me një fond prej 146 milionë euro, i bashkëfinancuar nga BE dhe Qeveria shqiptare parashikon të mbështesë 9 masa duke ofruar 50% grant për çdo investim në bujqësi. /j.p/