Tre qytetarë janë identifikuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, si të përfshirë në një rast bllokimit të rrugës në Unazën e Madhe, gjatë ceremonisë së dasmës së tyre.
Si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, shërbimet policore kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.
Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.
Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia e Shtetit apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë dhe të mos pengojnë lëvizjen normale të përdoruesve të rrugës, pasi do të përballen me ndëshkimet që parashikon Kodi Penal.