Deputeti i PD-së Luçiano Boçi në një intervistë në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma komentoi deklaratat që kryeministri Rama bëri pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë. Rama “lau” përsëri duart nga përgjegjësia lidhur me urdhër-arrestin për deputetin socialist Alqi Bllako, njëso si me ish-ministrin Lefter Koka, tashmë i arrestuar për aferën e SPAK. Rama e quajti përgjegjësi individuale, madje u shpreh krenar për ndërtimin e incineratorëve të cilët i quan impiante për prodhimin e energjisë nëpërmjet djegies së mbeturinave.
Boçi: Arriti deri aty sa të dilte në konkluzionin që ishte PS ajo që çoi Alqi Bllakon pas hekurave sepse dëshira për drejtësi ishte aq e madhe sa ai ishte i gatshëm që të dorëzonte këdo. Harron që në Komision tha “ai që më lëshon mua, unë do ta lëshoj.” Është deklaratë e dhënë në Komisionin Hetimor dhe në fakt këtu ka një përpjekje jo për t’ia dorëzuar drejtësisë individë të caktuar, por ka një përpjekje për të mbyllur çështjen brenda një guacke dhe çështja të mos kalojë dhe mos prekë atë personalisht. Nëse flasim për njeriun që ideoi, financoi, që i mbrojti incineratorët dhe vazhdon t’i mbrojë si investime që gjoja kanë produkt prodhim energjie është vetë Rama. Rama është ai që gjoja s’mbante mend, por ka dhënë miliona. Rama është ai që përcaktoi treshen e famshme e cila u transformua në disa kompani dhe mori 3 incineratorët dhe është gati të marrë të katërtin. Paratë e taksapaguesve shqiptarë u shpërdoruan në një skemë shumë të ndërgjegjshme grabitjesh të parave të shqiptarëve.
Pse nuk arrestohen njerëzit që janë përgjegjës për këto veprime?
Boçi: Kjo më habit që akuza për Bllakon është në lidhje me çështjen e shpronësimit, ndërkohe që kjo çështje është ngritur me të madhe për ditë të tëra nga ata që merreshin me incineratorin e Fierit për shpronësimet dhe të zhvendosjes së incineratorit. Është mbrojtur nga të gjithë përfaqësuesit që kanë ardhur në komision, madje dhe zoti Rama dhe në fund doli që paska qenë një aferë që Rama e quan përgjegjësi personale por nuk qenka personale. Gjithçka që ka ndodhur është mbyllur brenda atyre komisioneve të përfaqësuesve zyrtarë të bashkisë Elbasan dhe Fier që janë marrë me procedurën e koncesionit. Ata të shkretët maksimumi një udhëtim jashtë shtetit mund të kenë bërë, ndërsa firmat e tyre mund të kenë kushtuar miliona euro. Nuk janë firma të hedhura me vullnetin e tyre, por janë firma të hedhura nën diktatin politik dhe urdhrin politik. Kjo është formula për të mbyllur çështjen.