Bojkotimi i kampionatit nga skuadrat elitare në vend është nën vëzhgimin e kujdesshëm edhe nga instancat europiane të futbollit. Saktësisht, UEFA po e vëzhgon me kujdes gjithçka çfarë po ndodh në Shqipëri me futbollin.
“Panorama Sport” ka kontaktuar me qeverinë europiane të futbollit, për të marrë prej saj një përshtypje mbi çfarë po ndodh momentalisht me Kategorinë Superiore. Në komentin e saj shumë të shkurtër dhe tejet diplomatik e të kujdesshëm, UEFA kërkon që të jetë “politikisht” korrekte duke u shprehur se bëhet fjalë për një çështje të brendshme të një prej anëtareve të saj. Mirëpo, megjithëkëtë, nënteksti i përgjigjes nga UEFA është gjithashtu i qartë se nuk është pro bojkotit.
E kontaktuar nga gazeta me anë të rrugëve zyrtare të komunikimit, institucioni europian i futbollit bën me dije se është në vëzhgim të kujdesshëm të gjithçkaje që po ndodh me futbollin në vendin tonë, sidomos në një situatë të tillë. Për më tej, UEFA, si në shumë raste kur kërkon që të tregojë edhe pavarësinë vendimmarrëse të anëtarëve të saj, udhëzon që për gjithçka të kësaj natyre duhet kërkuar informacioni i plotë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, si organizatore e garës dhe vendimmarrëse për të.
Ja përgjigjja e UEFA-s për “Panorama Sport” lidhur me bojkotin e kampionatit. “UEFA është informuar në kohë nga Federata Shqiptare në lidhje me zhvillimet e situatës, e cila ne shpresojmë që të zgjidhet pozitivisht në një kohë sa më të shpejtë të mundshme dhe sa më të përshtatshme që futbolli të rifillojë. Për më tepër informacione, duke qenë se është një çështje e brendshme, ju lutemi referojuni Federatës Shqiptare të Futbollit”.