Rusia të shtunën dërgoi bombardues me aftësi bërthamore për të patrulluar mbi Bjellorusi, teksa kriza me Ukrainën ende po vazhdon.
Bombarduesit që morën pjesë në patrullim në Bjellorusi, aleaten e Rusisë, kanë aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi.
Ky mision patrullimi vjen në kohën kur Kremlini ka zhvendosur trupat nga Siberia në Lindje e Largët të Bjellorusisë për stërvitje të përbashkëta. Ky dislokim përkon me grumbullimit ushtarak rus pranë Ukrainës, që ka nxitur frikën në Perëndim se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën.
Rusia mohon se ka plane që ta sulmojë Ukrainën, por i bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve që të mos e pranojnë Ukrainën në NATO. Po ashtu, Kremlini kërkon që aleanca ushtarake NATO të mos zgjerohet drejt lindjes.
Perëndimi i ka bërë thirrje Rusisë që të tërheqë mbi 100,000 trupat që ka vendosur pranë Ukrainës, por Kremlini është përgjigjur se mund të vendosë trupat e saj ku të dojë brenda territorit rus.
Përveç grumbullimit të trupave pranë Ukrainës, Rusia po ashtu ka kryer një sërë stërvitjesh ushtarake nga Arktiku deri në Detin e Zi.
Dislokimi i trupave ruse në Bjellorusi rriti shqetësimin e Perëndimit, që tha se ka frikë se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta sulmojë Ukrainën nga veriu.
Kryeqyteti ukrainas, Kiev, gjendet vetëm 75 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë./REL/