Rritja me shpejtësi e importit të makinave nga vendet e largëta, kryesisht nga Koreja e Jugut po shoqërohet çdo ditë e më shumë me dilemat, a ja vlen të blejmë një mjet të tillë?
Qytetarët janë të orientuar drejt çmimit ekonomik, në raport me makinat që vijnë nga Europa, por ekspertët dhe operatorët e fushës thonë se një çmim i lirë sot, do të kushtojë më shtrenjtë nesër.
“Ka filluar të ndihet të ndihet ky boomerang nga ana e qytetarëve, pra kursimi në fazën fillestare po shoqërohet me kosto të shtuara më vonë. Ne po e ndjejmë çdo ditë e më të tepër. Na vijnë mjete nga kontinente të largëta për tu diagnostikuar në serviset tona të specializuara. Këto mjetë duke mos qenë të kontinentit europian edhe gjetja e pjesëve të këmbimit është shumë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur për të riparuar defektet e mundshme”, sqaroi Artan Mirdita, drejtor në “Albania Motor Company”.
Operatorët e fushës thonë se importi i mjeteve të përdorura me standarde teknike dhe të certifikimit jo-europian bie ndesh dhe me faktin se tregu po behët gati për anëtarësim në BE dhe duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret që kërkon unioni.
Sipas tyre zgjidhja e kësaj dukurie është që çdo mjet të pajiset me certifikatën e konformitetit, certifikatë që plotëson standardet europiane.
“Zgjidhja është krijimi i një sistemi gjithëpërfshirës homologimi. Një zyrë e tillë do të jetë përgjegjëse që të gjitha makinat që hyjnë në Shqipëri të jenë në përputhje me standardet europiane përpara se ato të lejohen të qarkullojnë në rrugë”, tha Mirdita.
Në vitin 2024 u regjistrua 100 mijë makina, por vetëm 10 % e tyre ishin të reja, apo të teknologjisë së fundit.