Shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell shprehet se është “e pamundur” të evakuohen nga aeroporti i Kabulit deri më 31 gusht të gjithë afganët që kanë punuar me forcat e huaja.
Në një intervistë me AFP, Josep Borrell tha se “problemi është qasja në aeroport. Masat e kontrollit dhe sigurisë amerikane janë shumë të rrepta. Ne protestuam. Ne u kërkuam atyre të tregojnë më shumë fleksibilitet” tha ai.
Administrata amerikane ka caktuar 31 gushtin si afatin përfundimtar për tërheqjen përfundimtare të trupave amerikane nga Afganistani dhe planifikon të evakuojë 30,000 civilë amerikanë dhe afganë.
“Me sa di, amerikanët nuk kanë njoftuar se do të qëndrojnë përtej kësaj date. Por ata mund të ndryshojnë mendje” tha Josep Borrell. Delegacioni evropian vetëm në Kabul punësoi 400 afganë, të cilët duhej të evakuoheshin me familjet e tyre. Unioni ka premtuar tërheqjen e tyre, por deri më sot vetëm 150 kanë mbërritur në Spanjë.
“Këta janë partnerë aktivë. Por numri i afganëve që kanë punuar për ne gjatë njëzet viteve të fundit është shumë më i madh. Kabuli ka dy aeroporte. Aeroporti civil është në duart e talebanëve dhe asnjë fluturim nuk niset. Amerikanët kontrollojnë ushtarakun. Ata në pistë hipin në aeroplanë. Në aeroplanin që mbërriti në Madrid sot, një e treta e udhëtarëve ishin amerikanë” shpjegoi ai.
“Nëse amerikanët largohen, evropianët nuk do të kenë aftësinë ushtarake për të siguruar aeroportin ushtarak dhe talebanët do të marrin kontrollin” tha ai. Amerikanët, së bashku me britanikët, kanë vendosur 6000 trupa për të kontrolluar aeroportin ushtarak.
Josep Borrell beson se bisedimet me talebanët janë të nevojshme. “Nëse doni të nxirrni jashtë stafin tuaj, duhet të flisni me talebanët” tha ai. “Të gjithë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje me talebanët. Ne kemi kontakte me talebanët, por jo me udhëheqjen e tyre” tha ai, duke shtuar se “të flasësh nuk do të thotë të pranosh”.
“Por do të jetë e pamundur të nxirren të gjithë afganët që kanë nevojë për mbrojtje nga Kabuli. Është e pamundur. E paimagjinueshme. Le të mos tregojmë përralla. Ka prioritete. Ne duam të nxjerrim qytetarët tanë dhe partnerët tanë afganë” deklaroi Borrell./ Abcnews.al