Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka prezantuar sot projektbuxhetin për vitin 2022 në Komisionin e Ekonomisë. Gjatë diskutimeve dhe pyetjeve për ministren, deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj e cilësoi si të papërgjegjshëm këtë buxhet, ndërsa theksoi se qeveria nuk ka mbajtur fjalën për uljen e borxhit publik.
Ndërsa, Ibrahimaj në përgjigjen e saj hodhi poshtë deklaratat e Leskajt. Sipas saj nuk është e vërtetë që ka pasur papërgjegjshmëri, por borxhi u rrit për shkak të pandemisë.
“Borxhi u rrit për shkak të pandemisë dhe tërmetit jo si qëllim i qeverisë. Buxheti që keni përpara parashikon ulje graduale të borxhit dhe deficitit në zbatim të ligjit organik të buxhetit. Nuk ëshgtë e vërtetë që ne parashikojmë të vijojmë me rritjen e borxhit. Nuk është e vërtetë që ka pasur papërgjegjshëm sepse borxhi u rrit në të gjitha vendet për shkak të pandemisë,” tha ajo.
Ibrahimaj, iu përgjigj më dej deputetit demokrat për përdorimin e Eurobondit. “Eurobondi do të shkojë për mbështetje buxhetore, një pjesë për projekte një pjesë do të mbetet në balancë për vitin e ardhshëm. Jemi duke u përgatitur për një strategji. Informaliteti nuk është dukuri që mund të pasqyrohet në një buxhet. Ka shumë zëra të buxhetit ku kanë si synim uljen e informalitetit. Bëhet nëpërmjet nismave ligjore. Është dukuri që duhet të fillojë të luftohet nga qeveria. Kryefjalë është dixhitalizimi dhe reforma e fiskalizimit. Çdo faturë dhe transaksion i kryer do të jetë i lexueshëm nga administrata,” u shpreh ministrja.
Sakaq, kërkesës së Leskajt për të rritur fondet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, ministrja tha se nuk ka mundësi financiare më shumë seç është parashikuar në buxhet.
“Për të përndjekurit e konsiderojmë si një zë të rëndësishme, por mundësitë financiare janë të limituara,” u shpreh ajo. g.v/abcnews.al