Bota shqiptare humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike

0
300

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të politikanit, studiuesit dhe shkrimtarit Moikom Zeqo.

Në postim në facebook, Meta shprehet se është thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Meta: Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.Ngushëllimët më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e vlerësoi  ish- deputetin, shkrimtarin, shkencëtarin dhe publicistin e shquar Moikom Zeqo si një enciklopedi të gjallë.

Ruçi: Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të ish deputetit, shkrimtarit dhe shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo. Moikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Mikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë. Mikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar Zeqon si  përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj.

Thaçi: Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e shkrimtarit erudit Moikom Zeqo. Me dijet e shumta nga fusha e letërsisë, historisë dhe shkencave humane, Moikom Zeqo ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare. Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj. Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Moikomit dhe gjithë miqve të tij. 

/Ora News.tv/