
Pasditen e sotme u hodh shorti për botërorin 2022, ku Shqipëria rastisi në Grupin I, së bashku me Anglinë, Hungarinë, San Marinon, Andorën dhe Poloninë.
Trajneri Edi Reja ka folur për herë të parë për këtë grumbullim, duke e cilësuar kombëtaren shqiptare si të pafat në short. Ai ka analizuar të gjithë kundërshtarët, ku ka cilësuar Anglinë dhe Poloninë si skuadra shumë të forta.
Reja ka vijuar më tej duke kategorizuar Hungarinë si një skuadër në përmirësim, teksa Andorën dhe San Marinon ka preferuar ti cilësojë si ndeshje të sigurta për kuq e zinjtë.
“Nuk ishim me fat në short, mund them se na ka penalizuar. Anglia është kokë grupi dhe dihej që do të kishim një ekip të fortë, ndaj pranohet. Polonia është shumë e fortë, na ra një nga më të fortat në vazon e dytë. Hungaria tani po bën shumë mirë, është një skuadër shumë në formë. Shpresoja të ishim në grup tjetër, na përshtateshin më shumë Danimarka e Kroacia. Gjithsesi, do të luajmë shanset tona me të gjithë, edhe pse duhet ta them se kemi pak shanse për vendin e dytë. Me San Marinon dhe Andorrën i llogaritin të gjithë pikë të plota dhe nuk ka nevojë për shumë komente”, ka thënë trajneri Reja.
Trajneri i kombëtares shqiptare ka vijuar më tej, duke shpjeguar se me Hungarinë ishte planifikuar një ndeshje miqësore, e cila tashmë nuk do të realizohet, por do të mendohet një skuadër tjetër.
“Ndaj Hungarisë është e pamundur të luajmë miqësore, siç e kishim planifikuar, shpresojmë të gjejmë zgjidhje tjetër për në qershor. Skuadra është në rritje. Shpresoj të kemi kondicionin fizik të duhur. Ne do provojmë gjithçka. Shpresoj që deri në mars pandemia të ketë mbaruar dhe të kemi tifozë në stadiume, pasi me ata në stadium mund të bëjmë paraqitje edhe më të mira dhe mund të kemi më shumë shanse, sepse na japin një karikim ekstra.
Duke parë grupin nuk është se nuk do të provojmë shanset tona, do të japim gjithçka. Nëse kapim vendin e tretë do tregojmë se kemi rritje. Sidoqoftë, këto ndeshje do të na japin shumë eksperiencë. Nëse nuk ia dalim të kualifikohemi në Botëror, atëherë do mundohemi të jemi gati për kualifikueset e Europianit 2024. Për koincidencë, sot votova Robert Levandovskin si lojtarin më të mirë dhe uroj të mos jetë në formë kur Polonia të luajë kundër nesh.”
Sakaq fushata e eleminatoreve do të nisë në 24 dhe 25 mars 2021, për të përfunduar në 16 nëntor 2021.
