Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner teksa ka uruar kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho për marrjen e detyrës së re në krye të Prokurorinë e Posaçme, deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë duhet të vazhdojë.
Bergner theksoi se Gjermania do të vijojë bashkëpunimin me SPAK dhe mbështetjen e Shqipërinë në çdo hap të saj në rrugën drejt BE-së.
“Përgëzoj z. Klodian Braho për marrjen e detyrës si drejtues i SPAK dhe i uroj shumë suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Njëkohësisht, falënderoj drejtuesin e deritanishëm, z. Altin Dumani për kontributin e tij në forcimin e qendrueshmërisë së SPAK kundrejt presionit politik si dhe për vendosmërinë dhe integritetin e tij. Nën drejtimin e tij, SPAK ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Kjo është vlerësuar edhe në raportet e progresit të BE-së.
Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe garantimi i sundimit të ligjit janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve qendrore dhe një element thelbësor në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, një proces që mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Kërkojmë nga të gjitha institucionet që të përmbushin detyrat e tyre, të ushtrojnë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojnë plotësisht për të garantuar llogaridhënien në dobi të çdo qytetari. Jemi të lumtur për vijimin e bashkëpunimit me SPAK dhe mbështetjen e Shqipërinë në çdo hap të saj në rrugën drejt BE-së”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane.


