
Brazili ruajti kreun e grupit në eliminatoret e Katar 2022 për zonën e Amerikës së Jugut, pasi regjistroi fitoren e 4-t radhazi.
Pa Neymar, Selecao iu fal dyshes Arthur-Richarlison, që realizuan 2 gola në pjesën e parë për t’i dhënë fitoren 0-2 Brazilit në transfertën ndaj Uruguait.
Përfaqësuesja çeleste ishte e privuar nga mungesa e sulmuesit të saj kryesor Luis Suarez, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus, ndërkohë që edhe Edinson Cavani e la në baltë Uruguain teksa u ndëshkua me karton të kuq, 20 minuta para fundit të sfidës, me skuadrën e Oscar Tabarez që pësoi humbjen e dytë në 4 takime.
U rikthye menjëherë te suksesi edhe Argjentina, që fitoi 0-2 në transfertën e Perusë, duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve në vendin e dytë, 2 më pak se Brazili kryesues.
Golat për Argjentinën u realizuan nga Gonzales dhe Lautaro Martinez në pjesën e parë.
Vazhdon forma e shkëlqyer e Ekuadorit që regjistroi një fitore tenistike me shifrat 6-1 ndaj Kolumbisë, në një ndeshje ku për vendasit realizuan 6 autorë të ndryshëm, ndërkohë që goli me penallti i James Rodriguez vlejti thjeshtë për statistika.
Arturo Vidal nuk i mjaftoi Kilit këtë herë, sepse pavarësisht golit të mesfushorit të Interit, skuadra e trajnerit Rueda u mposht 2-1 nga Venezuela, që shënoi 2 gola me Mago dhe Rondon.
U mbyll në barazim 2-2 sfida tjetër e raundit të 4-t mes Paraguait dhe Bolivisë.
© SYRI.net
