Brazili, urdhërarrest për Ervin Matën/ Akuzohet për trafik droge dhe organizatë kriminale

0
2

Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Ervin Matën , i akuzuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe disa aktivitete të tjera kriminale.

Mediat italiane shkruajnë se urdhri është dhënë nga gjyqtari Alexandre de Moraes më 23 shtator, pas kërkesës për ekstradim nga autoritetet shqiptare. Mata  është shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet se është fshehur në Brazil prej vitesh, që pas nisjes së hetimeve ndaj tij në Shqipëri dhe në vendet e BE-së.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë.

Një nga rastet më të bujshme ku ai përmendet është tentativa për trafikimin e 69 kg kokainë, që ishte fshehur në një kontejnerë me lëng limoni dhe që u sekuestrua nga autoritetet braziliane në Portin e Santos, me destinacion për në Valencia, Spanjë.

Gjithashtu, hetimet e lidhin atë me një tjetër ngarkesë prej 240 kilogramë kokaine, e kapur në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020. Pas këtij operacioni të dështuar, besohet se Mata është larguar nga Europa dhe është vendosur në Brazil, ku autoritetet shqiptare e kanë lokalizuar më vonë.

“Burime pranë hetimit konfirmojnë se Shqipëria ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Ervin Matës nga Brazili. Tashmë, pritet vendimi përfundimtar nga autoritetet gjyqësore braziliane, ndërsa nën monitorimin e INTERPOL-it po vijon edhe operacioni për lokalizimin dhe ndalimin e tij”, shkruajnë mediat braziliane./abcnews.al