Protagonistët kuqezi folën menjëherë pas ndeshjes, pas asaj fitoreje heroike në Budapest ku heroi Armando Broja zbuloi disa detaje për formën e tij.
“Kam qenë i dëmtuar pardje në stërvitje, dhe trajneri më pyeti nëse mundëm të luaj, i thashë po pasi për fanellën, për Shqipërinë bëj gjithçka, hyra me besim të bëj golin të ndihmoj ekipin dhe morëm 3 pikët. Vendin e dytë do ta besojmë deri në fund, kemi dëshirë të luajmë në Botëror është gjë e madhe, pasi nuk jemi vend i madh por kemi shpirt, shyqyr që morëm tre pikë, duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përqendruar për sfidën me Poloninë”.
Ndërkohë që foli edhe Klaus Gjasula i cili vlerësoi karakterin por në fund nuk e harroi as Gjimshitin.
“Një ndeshje e luftuar, dhe e fituat si një finale e parakohshmë. E merituam fitoren, me pak fat arritëm te suksesi pas shtyllës që pësuam. E kaluam atë rast dhe shënuam, kishim raste për ta mbyllur ndeshjen më shpejt por arritëm të merrnim 3 pikë. Kujt ia dedikoj? Fitoren ia dedikoj Gjimshitit, nuk e di se si është gjendja e tij sepse shkoi në spital dhe e pamë që ishte dëmtim serioz. Mund të fitojmë me Poloninë, në një ditë të mirë. Na duhet edhe fati por mund të fitojmë në shtëpi dhe stadiumi duhet të jetë zjarr. Do të japim maksimumin për të treguar që ajo ndeshje me Poloninë ishte e padrejtë”, tha mesfushori kuqezi./Ora News/.