Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Bazuar në videot e postuara në rrjetet sociale, për pesë raste të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, ju informojmë se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë kryer veprimet verifikuese dhe kanë vendosur masat përkatëse administrative si më poshtë:
Është vendosur masë administrative 30 000 lekë, bazuar në pikën 3, neni 144 i Kodit Rrugor, ndaj drejtuesit të automjetit që, në aksin rrugor “Librazhd – Elbasan”, ka vazhduar lëvizjen pavarësisht se sinjali i semaforit i ndalonte qarkullimin;
Është vendosur masë administrative 10 000 lekë, bazuar në pikat 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, ndaj drejtuesit të automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin “Elbasan – Librazhd”;
Është vendosur masë administrative 10 000 lekë, ndaj drejtuesit të automjetit për parakalim të gabuar, në aksin “Librazhd – Qafë Thanë”;
Është vendosur gjithashtu masë administrative 10 000 lekë, për drejtuesin e automjetit që ka kryer parakalim të gabuar, në aksin “Librazhd – Elbasan”;
Po ashtu, janë vendosur masa administrative 10 000 lekë, për secilin nga 2 drejtuesit e automjeteve, që kanë kryer parakalime të gabuara, në Elbasan.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.