Burbuqe Islami, kandidatja për deputete e PSD që premton mbështetje ndaj drejtësisë dhe luftës antikorrupsion!

0
2
  • Njihuni me Burbuqe Islamin, kandidaten për deputete në zgjedhjet e 11 majit…

Risia e zgjedhjeve të 11 majit, është se dolën në skenë figura të reja. Përveç partive që lindën rishtaz, edhe partitë tradicionale vendosën të promovojnë emra të rinj. Një ndër kandidatët e rinj të 11 majit është edhe Burbuqe Islami.

Ajo është një profesioniste e shquar në fushën e ekonomisë dhe financave, e cila ka vendosur të angazhohet në politikë. Në zgjedhjet e  11 majit ajo kandidon për deputete nën siglën e PSD.

Arsimi dhe Karriera Profesionale

Znj. Islami ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në degën Financë-Kontabilitet. Ajo është Eksperte Kontabël dhe Vlerësuese e Pasurive të Paluajtshme, duke dëshmuar një ekspertizë të thellë në këto fusha.

Për nëntë vjet, ka shërbyer si administratore e pasurive në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme. Në këtë rol, ajo ka menaxhuar me integritet pasuritë e sekuestruara nga shteti.

Gjithashtu, ka qenë koordinatore e rrjetit të koordinatorëve Antikorrupsion në Komisionin Ndërsektorial për Korrupsionin, duke luajtur një rol kyç në përpjekjet për të luftuar korrupsionin në vend.

Angazhimi politik dhe Lufta Kundër Korrupsionit

Si eksperte ekonomie, Burbuqe Islami ka një mision të qartë: luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke bërë kallëzime që kanë çuar në procedime penale dhe hetime nga SPAK dhe Prokuroria e Tiranës ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë, përfshirë, si ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme Besmir Beja, ish-drejtorin e AAPSK Idriz Haxhiaj, kryeadministratorin Musa Hyka dhe financieren e AAPSK.

Kandidatura për deputete

Aktualisht, znj. Islami është kandidate për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, duke garuar në listën e hapur të Partisë Socialdemokrate (PSD) në Tiranë. Arsyeja e kandidimit për këtë forcë është hapësira publike që ju krijua asaj, si mundësi nga ky subjekt për të bërë politikën e saj.

Motoja dhe vizioni

Motoja e saj është: “Të gjithë së bashku për njëri-tjetrin”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Znj. Islami beson se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të arrihet një Shqipëri më e drejtë dhe e ndershme për të gjithë qytetarët.

E pyetur se pse refuzoi ofertën e Edi Ramës në platformën “Deputeti që Duam”, ajo deklaron: “Arsyeja e refuzimit: Diskriminimi i femrës, nepotizmi dhe mungesa e konkurrencës së ndershme në Partinë Socialiste. Fakti që PS nuk ofron më hapësira për njerëz me integritet, por vetëm për ata që janë pjesë e një sistemi të korruptuar. Babëzia për pushtet dhe pasuri ka errësuar sytë e lidershipit të PS-së, duke lënë jashtë ata që duan të kontribuojnë ndershmërisht”.

Duke e quajtur mision të pamundur ndryshimin e PS dhe fatit të liderëve te saj, thekson faktin që gratë dhe profesionistët e ndershëm nuk kanë hapësira në PS, pasi vendet e para në lista caktohen nga rrethi i ngushtë i Ramës. Ndërsa listat e hapura janë lënë për politikanët e karrierës dhe tek tuk ndonjë aktivist vetëm për reklamë vizuale, reklamë të cilën zonja Islami deklaron se nuk e bën dot, pasi nuk pranon asnjë pakt jashtë luftës pa kompromis kundër korrupsionit.

Ajo e ka bërë te qartë se kjo nuk është më Partia Socialiste e dikurshme, por një grup i mbyllur oligarkësh politikë.

Islami deklaron për “Pamfletin” se alternativa e vërtetë është lufta kundër korrupsionit, jo vazhdimi i një sistemi të kalbur, duke deklaruar se:

-“Deputeti që Duam” = Deputeti që cakton Rama!

-PS e Ramës – një klub privat, jo një parti e hapur!

-Refuzimi i platformës, refuzimi i korrupsionit!

-Fjalët janë mashtrim, listat tregojnë realitetin!