Cërriku, qyteti më miqësor, më paqësor dhe më mikpritës në Shqipëri

0
243

Cërriku është nga ata qytete industrialë si Ballshi, Laçi, Poliçani, Prrejasi, Memliaj etj. që u krijuan në socializëm atje ku ishte puna dhe prodhimi. Psh, në Cerrik u ndërtua rafineria e naftës dhe më pas ndërmarrjet e grumbullim-përpunimit të produkteve bujqësore dhe duhanit dhe, bashkë me to, u rrit edhe qyteti. Qyteti u ngrit në fushën e Cërrikut, ku në fillim ishin rreth 111 familje autoktone. Emri i fushës u bë edhe emri  qytetit të ri që u formua pas çlirimit. Veç të ardhurve nga rrethe të ndryshme të vendit, këto erdhën edhe të huaj. Në fillim rusët për të ndihmuar në ndërtimin e Uzinës së Punimit të Naftës, më pas kinezët për ngritjen e radiostacionit ndërkombëtar.

Që në fillimet e tij, qyteti u popullua nga banorët e tij që vinin kryesisht nga fshatrat përreth apo zonat e afërta, por edhe nga komuniteti çam që u vendos në zonën e cilësuar si kantieri. Ishte një popullsi që vinte nga Çamëria, pas genocidit antishqiptar grek ndaj një populli të pafajshëm që gjeti strehën e saj mes popullsisë vendase në pjesët bregdetare dhe në Cërrik.

Gjatë periudhës së regjimit komunist Cerriku ishte një qytet i bujshëm punëtor. Por ai ishte edhe qyteti i të persekutuarve. Këtu kishte shumë familje apo individë të internuar. Pas viteve 1990, si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Cerrik ndodhën ndryshime të mëdha në demokratizimin e jetës. Veprat e dikurshme dhe ndërmarrjet ekonomike u shkatërruan, u shkatërrua edhe ndërmarrja bujqësore, nga më të mirat në vend.

Qyteti i Cërrikut ka edhe nivelin më të lartë të papunësisë në qark me mbi 40% të papunë. Këtë fenomen mjaft shqetësues e vuajnë sidomos të rinjtë që i sheh të shumtë në rrugë dhe lulishte. Aktualisht 400 familje trajtohen me ndihmë ekonomike, por numri i kërkesave sa vjen e shtohet.

Siç u tha më lartë, Uzina e Rafinerimit të Naftës ka qenë edhe pikënisja e ndërtimit të qytetit të ri. Ndërtimi i filloi në vitin 1952 dhe u përurua në 8 nëntor të vitit 1956. Uzina e Naftës u projektua fillimisht me aftësi 500 tonë përpunimi nafte bruto në 24 orë. Në vitin 1957 pas një përpunimi konstruktiv, u rrit aftësia përpunuese e naftës bruto në 800 tonë për 24 orë. Në vitin 1961 u realizua rikonstruksioni i uzinës duke rritur sërish aftësinë përpunuese në 1500 tonë në 24 orë. Gjatë periudhës së funksionimit prodhonte benzinë, gazoil, vajguri për ndriçim, bitumen, solar e mazut. Në vitin 1962 filloi prodhimi i vajrave lubrifikuese për automjete avtol 18 dhe DP 14 si dhe vajguri tip TS1 për aeroplanët. Në vitin 1965 filloi dhe prodhimi i sapunit naftanik dhe acideve naftanike.

Në Cerrik ka qenë një nga ndërmarrjet më të mëdha në Shqipëri, SMT-ja e Cerrikut, që u ngrit më 3 janar 1946. Aktiviteti i SMT shtrihej jo vetëm në rajonin e Elbasanit, por dhe në atë të Pogradecit dhe të Korçës. Në këtë sektor jetik për zonën e Cërrikut kanë qenë disa drejtues nga Elbasani që i kanë dhënë emër kësaj SMT-je. Më 1951, Stacioni i makinave dhe Traktorëve kishte 18 traktorë përkundrejt 2 920 hektarëve hamullor, ku punonin rreth 120 punëtorë. Pas vitit 1992, për vetë kushtet e ekonomisë së tregut dhe tregut të prodhimit dhe shitjeve, SMT u shpërbë dhe sot, ose është dhënë me qira, ose kanë përfituar prej saj prona të vogla ish-specialistë të kësaj ofiçine.

Këtu ka qenë Instituti i duhanit, institucion kërkimor shkencor për bimën e duhanit me shtrirje të veprimtarisë në të gjithë Shqipërinë. Puna shkencore me këtë bimë ka nisur në stacionin e kërkimeve Bujqësore të Tiranës më 1952. Më vonë më 1956 është ngritur në Yrshek të Tiranës si qendër e specializuar, stacioni eksperimental i duhanit. Në varësi të institutit kanë funksionuar tri baza eksperimentale në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër. Aty punuan 13 bashkëpunëtorë shkencorë dhe mbi 100 punëtorë në një sipërfaqe prej 45 ha.

Një nga veprat e mëdha që janë ndërtuar në Cërrik, është edhe radiostacioni, i cili ka filluar punë më 1 tetor 1967. Është qendër transmetimi radioje, me valë të shkurtra. Ky radiostacion ka qenë konceptuar si i ndarë në zona A dhe zona B. Radiostacioni i Cërrikut ka shërbyer dhe si shkollë për njohjen e teknikës radiotelevizive. Një numër i madh specialistësh të dalë nga këtu, punojnë në vende kyçe të Radio -Televizionit Shqiptar.

Sot Cerriku jeton me veprimtari të vogla private dhe me emigracion. Aktualisht ky qytet numëron mbi 15 mijë banorë, me një popullsi relativisht të re, por që ka si problematikë kryesore papunësinë. Megjithëse një qytet me përbërje heterogjene nga zonat të ndryshme të Shqipërisë, me përzierje fetare, përsëri këtu mbizotëron harmonia dhe solidariteti, karakteristikë e qyteteve të vogla

Pozicioni gjeografik i Cërrikut dhe resurset e tij, bëjnë që të mbizotërojë aktiviteti bujqësor, ku shquhet për drithërat e bukës, me një zhvillim ekstensiv, aktiviteti tregtar, po edhe ai industrial. Jo më shumë se 60 km nga deti dhe 20 km nga relievi malor, Cërriku prezanton një klimë të favorshme në bujqësi, agrume, blegtori e resurse të tjera natyrore. Qyteti eksporton të gjitha llojet e frutave dhe perimeve në të katër stinët e vitit. Në qytet, veç sipërfaqeve të tokës private, ka sipërfaqe të lira shtetërore ku mund të investohet në çdo drejtim.

Një popullsi relativisht e re, me resurse natyrore dhe njerëzore, ky qytet ofron mundësi të mëdha për investime në të gjitha sektorët. Natyrshëm funksionon rrjeti shëndetësor, farmaceutik, spitalor, social, kulturor si dhe mjediset sportive e një fushë futbolli e vlerësuar për parametrat, që janë njëherazi të gjitha bashkë kompleksi i jetës së përditshme. Duhet thënë se që nga gjimnazi e deri tek shkollat e tjera të mesme kanë dalë me qindra intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme të jetës, një pjesë e të cilëve shërbejnë në kryeqytetin shqiptar apo dhe jashtë vendit.

Qyteti i Cerrikut për vetë pozicionin ka mundësi dhe resurse të mëdha zhvillimi, vetëm duhet më shumë vëmendje nga qeveria lartë.

Guidë

Provoni të bujtni një ditë në Cerrik dhe do të ngeleni të mrekulluar!

Provoni të shkoni një ditë në Cerrik, por jo me “gurë në xhepa” siç shkuan ata të ’97-ës, dhe do të shikoni sa mirë do të kaloni. Është një nga qytetet më miqësorë dhe më mikpritës në Shqipëri, i bërë i tillë ndoshta nga kushtet e një jetese modeste dhe, në të shumtën e rasteve, të varfër, të banorëve të tij. Dhe, siç thotë ajo fjala e urtë e popullit, “sa më shumë ke, aq më pak je dhe, sa pak ke, aq më shumë je”, banorët e këtij qyteti, duke qenë njerëz të vuajtur dhe të rrahur me jetën, janë të pakursyer në solidaritet, respekt dhe dashuri.

Meqenëse se s’ka punë, paradite rrugët dhe lokalet janë plot me njerëz. Në çdo tavolinë që të ulesh, megjithëse plot halle, akush nuk i  zënë në gojë ato në sy të mikut, përkundrazi tregojnë histori nostalgjike kur në Cerrik gumëzhinte jeta; tregojnë qyfyre nga zboret ushtarake të atëhershme, rrëngjeve që u bënin brigadierëve apo përgjegjësve të dikurshëm në punë; diskutojnë për aktivitete e shumta artistike që zhvilloheshin atëherë në Cerrik, për sportin, për zhvillimet sotme në vend dhe në botë, për lajmet e televizioneve dhe gazetave. Nuk e mërzitin mikun me diskutime politike, se e dinë që është një “muhabet kot”, por të gjithë në Cerrik një merak e kanë për politikën, që i ka mjelë e vjelë me vota dhe në fund i ka lënë në një gjendje tepër të mjerueshme.

Në Cerrik si kudo në Shqipëri ka komplekse dhe lokale të një niveli që nuk i gjen edhe në vendet bregdetare, ku bëhet një shërbim i shkëlqyer, mbi të gjitha, i ngrohtë dhe intim, sidomos për të largëtit dhe ata që kanë vajtur aty për herë të parë. Ndërsa po hyre nëpër familje, puna ndryshon krejt, banorët këtij qyteti të presin si mbret. Shtjenë shtëpinë për tokë që ti ta ndjesh veten mirë, si në shtëpinë tënde, pastaj të tjerat vijnë vetë më radhë: një tavolinë e pasur ku vetëm qumështi i dallëndyshes mungon, se të gjitha i ke aty, një muhabet i këndshëm, i shtruar dhe i çiltër.

Por në Cerrik, po ta organizosh mirë, mund të rrish më tepër se një ditë, sidomos kur je në grup, pasi ke ku të shkosh dhe çfarë të shikosh. Psh, mund të shkosh në Belsh të Dumresë, në Mollas, në Gostimë apo edhe në Gramsh dhe në darkë të kthehesh përsëri. Një itinerar tjetër mund të jetë të vizitosh luginën Shkumbinit nga Paprri në Rrogozhinë, duke mos harruar të kthehesh në qytetin e vjetër të Peqinit, ku ke çfarë të vizitosh, kalanë dhe pjesë të rrugës romake Egnatia.

Një ditë tjetër, mund të shkosh në pjesën e sipërme të luginës së Shkumbit deri në Librazhd. Siç është thënë diku në këtë shkrim, fusha e Cerrikut është nga më pjelloret dhe më të begata në Shqipëri, ndaj me qënë se jeni aty pranë saj, mund të bëni një vizitë në fermat dhe plantacionet me pemë frutore dhe vreshtat aty pranë, do të ngelni të kënaqur nga bukuria dhe freskia e prodhimeve të kësaj fushe, gjithmonë të mbara.

Fusha e Cerrikut, më pjellorja në Shqipëri

Fusha e Cerrikut është nga më të mirat në Shqipëri, me një veçanësi strukturore aluvinare që e bën shumë të lehtë në kullim dhe vaditje, por edhe në pjellori. Si duket është formuar nga shtrati i dy lumenjve Shkumbin dhe Devoll. E gjithë kjo fushë ka qenë pronë e  çifligarëve Biçakçinj të Elbasanit, latifondistët më të mëdhenj në Shqipëri. Jo më kot italianët në kohën e Zogut ia vunë sytë kësaj fushe për të ndërtuar një fermë të madhe kuajsh, më e madhja në Ballkan që do të furnizonte ushtrinë italiane, por edhe do të mbushte tregun botëror me kuaj rrace të të gjitha llojeve. Italianët nuk arritën ta realizonin dot projektin e tyre. Ata lanë aty vetëm disa godina që janë edhe sot. Më parë, në periudhën e socializmit, ka qenë e mirënjohura si ferma e Cerrikut.

“Po me Cerrikun ç’patën, xhanëm”?…Një çudi për t’u çuditur! Megjithëse kanë kaluar 17 vjet nga viti i mbrapsht 1997, ende ka ngelur enigmë fakti që në dy qytete të paqtë dhe të qetë, si Përmeti dhe Cerriku, forca të errëta qeveritare vepruan me një egërsi të papërmbajtur, duke vrarë njerëz të pafajshëm, në Përmet nga populli në rrugë, dhe në Cerrik nga forcat qeveritare, që nuk e dinin pse kishin ardhur dhe kush i kishte dërguar në Cerrik me armatim të rëndë dhe autoblinda. Ajo që të bën të mendosh dhe që ende nuk është zbardhur, është se pse u zgjodhën këta dy qytete për të bërë provokime të tëlla të mbrapshta dhe të poshtra. Ka ngelur lapidare shprehja e aktorit të shquar Pandi Raidhi në filmin “Kur zbardhi një ditë:  ”Po me urën ç’patën, xhanëm”!…

“Armiqtë e popullit”, në zemër të popullit

I populluar me banorë nga e gjithë Shqipëria, ky qytet diti të mbante si të tillë shumicën e atyre intelektualeve që regjimi i atëhershëm i kishte shpallur “armiq të popullit”. Këtu ishin internuar një nga “armiket më të rrezikshme të Partisë së Punës”, Liri Belishova dhe një nga gjeneralët “e puçit ushtarak”, Dilaver Poçi, por duhet thënë që në fillim se, megjithëse nën survejim të përditshëm, atyre ua lehtësonte dhimbjen ndenjja afër, respekti, dashuria dhe ngrohtësia shpirtërore e të gjithë qytetarëve të Cerrikut, të mëdhenj e të vegjël, që nuk i ndanë nga gëzimet dhe hidhërimet e tyre, por që ndanë bashkë edhe kafshatën e gojës dhe shishen e qumështit. Në shumë prononcime të mëvonshme, këta ish-disidentë kanë shprehur ndjenjat më sublime të shpirtit për qytetarët e mirë dhe të dashur të Cerrikut.

Nuk e dua atë regjim, por atë që e kishte të mirë, e kishte!

Kush ka lexuar romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë, me siguri mban mend një punonjës shkencor të gjuhës që gjendet në një stacion rural treni, dhe kur treni vonohet 2-3 minuta, ai hedh sytë nga tabela e orarit, ku gjen tre gabime ortografike. “Hajde besoji këtij orari me gabime”, thotë ai, dhe u ulet edhe një herë në stolin e barakës që shërbente si stacion. Kështu ishte edhe stacioni i trenit në Papër, ku zbriste tërë Cerriku, Dumreja, Gramshi dhe Mollasi. Kishte raste që treni vinte në orën 4:00 të mëngjesit apo 20:00 të mbrëmjes dhe që të shkoje nga Papri në Cerrik dhe anasjelltas duheshin bërë në errësirë të plotë mbi 30 minuta rrugë. “Punova 25 vjet si fatorino treni, thotë Salije Rrapaj, më binte që atë rrugë ta bëja çdo ditë. Kishte raste që gjeja njerëz rrugës dhe ikja me ta, por të shumtën e rasteve, ikja fill vetëm dhe s’kisha frikë fare. Ik tani, po deshe? Nuk e lëvdoj atë regjim, mbyll bisedën ajo,por atë që e kishte të mirë, e kishte!…