Certifikohen 30 ekspertët shqiptarë nga Mbrojtja Civile e Italisë, ambasadori italian në Tiranë: Emergjencat civile morën trajtim profesional të nivelit europian

0
24

30 ekspertë shqiptarë u çertifikuan me sukses pas pjesëmarrjes së tyre në trajnimin për përballimin e emergjencave civile, nga ekspertë italianë të Mbrojtjes Civile.

Në ceremoninë e zhvilluar në Residencën italiane në Tiranë, pjesëmarrësit u përshëndetën nga  Ambasadori Italian në Tiranë Sh.T. Fabrizio Bucci, Shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane, Z. Fabio Ciciliano, Drejtoresha e AICS Tiranë, Zj. Stefania Vizzaccaro dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) Z. Haki Çako.

Ambasadori Bucci nënvizoi në përshëndetjen e tij se, “ekselenca e sistemit Italian të Mbrojtjes Civile, i cili në nivel europian dhe global përbën një model të vërtetë kompetence që mund të eksportohet në vende të tjera, falë projekteve të tilla, forcon bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, për një të ardhme edhe më të qëndrueshme dhe të sigurtë përballë emergjencave civile”.

Drejtori i AKMC-së Haki Çako theksoi se, “pavarësisht ekzistencës së shkurtër pesëvjeçare të AKMC-së, bashkëpunimi intensiv dhe domethënës me Departamentin italian të Mbrojtjes Civile ka sjellë ndihmë të rëndësishme në tërmetin e nëntorit 2019, pandeminë COVID-19, zjarret e vitit 2024, përmbytjet dhe bllokimet nga dëbora, ndërsa janë nënshkruar dhe përgatitur një sërë marrëveshjesh dhe projekte të financuara për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile në Shqipëri”.

 

 

Ky kurs u zhvillua në kuadër të projektit “Krijimi i një qendre operative kombëtare për emergjencat civile të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Shqiptare”, financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim. Falë 19 moduleve të ofruara nga specialistët e Mbrojtjes Civile Italiane u trajtuan çështje teorike dhe operative duke përfshirë menaxhimin e emergjencave dhe mbështetjen për autoritetet vendore, logjistikën, ushtrimet dhe asistencën social-shëndetësore, menaxhimin dhe organizimin e zonave të pritjes dhe strukturave të përkohshme, etj.

Bashkëpunimi ndërmjet AICS, Departamentit të Mbrojtjes Civile italiane dhe AKMC-së është një bashkëpunim që prej vitit 2019 ka bërë të mundur një përmirësim progresiv të shërbimeve dhe funksionimit të Agjencisë Shqiptare, e cila që nga krijimi dhe hapja e Qendrës Operative Kombëtare për Emergjencat Civile të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shqiptare po çon në një ripërtëritje të koordinimit brenda kuadrit të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, në të cilin merr pjesë Shqipëria.

(Balkanweb)