Së paku katërmbëdhjetë persona besohet të kenë humbur jetën në Tetovë, në zjarrin që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00.
Lajmi është konfirmuar nga televizioni Alsat, ndërkohë që zyrtarisht nuk ka ende një shifër të saktë të personave që kanë humbur jetën, dhe as të atyre që kanë mbijetuar.
“Derisa po lokalizonim zjarrin, nxirrnim edhe viktima edhe të mbijetuar, por për momentin nuk mund të themi sa viktima”, ka deklaruar Sasho Trajcevski nga shërbimi i zjarrfikësve në Tetovë.
Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.
Ekipet e zjarrfikësve është raportuar se kanë shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimeve të fuqishme, dhe iu është dashur 30 minuta për shuarjen e flakëve.
Menjëherë pas kësaj tragjedie me përmasa të mëdha, në Tetovë mbërritën krerët më të lartë të shtetit maqedonas, përfshirë kryeministrin Zaev dhe ministrin e shëndetësisë Filipçe.
Zyrtarët nuk dhanë asnjë deklaratë për mediat nga ambientet e spitalit, dhe menjëherë më pas mblodhën shtabin e menaxhimit të krizave, ndërkohë që për hetimet mbi shkaqet e zjarrit janë angazhuar 5 prokurorë.
“Prokuroria Publike Themelore Tetovë është duke kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Covid në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit.
Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike.
Në reagimin e tij pas ngjarjes Zaev tha se të gjitha strukturat janë angazhuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje tejet të rëndë.
“Një tragjedi e vërtet ka ndodhur në kovid qendrën në Tetovë. Shpërthimi ka shkaktuar zjarr. Zjarri është shuar, por ka shuar edhe shumë jetëra. Lufta për jetë po vazhdon, ndërkaq të gjitha shërbimet kanë reaguar me shpejtësi dhe po shpëtojnë jetë. Shpreh ngushëllim deri tek familjet dhe më të afërmit e të vdekurve dhe shpresoj që të lënduarit të shpëtojnë sa më shpejtë.
Arsyet për zjarrin do të konfirmohen, dhe për këtë shkak organet e gjyqësisë janë në teren. Kjo me të vërtetë është një ngarje tragjike dhe ju sigurojë se i tërë kreu shtetëror është duke punuar në zgjidhjen e situatës. Për momentin është duke u zhvilluar shtabi i krizës në komunën e Tetovës”, ka deklaruar kryeministri maqedonas.
Pranë spitalit që shpërtheu në flakë ishte dhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila po ashtu nuk dha të dhëna me shifra për numrin e viktimave. Arifi tha se gjatë ditës së sotme pritet që të ketë dhe një deklaratë zyrtare për atë që ndodhi brenda ambienteve të spitalit Covid.
Në ankth jashtë spitalit qëndruan familjarë të shumtë të personave të shtruar si pasojë e infektimit me Covid, ndërkohë që reagime për ngjarjen tragjike ka pasur edhe nga politika shqiptare.
Presidenti i vendit Ilir Meta, kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha përcollën lutje për popullin e Kosovës, në një nga ditët më tragjike të tyre.
Meta: Me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës. Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara!
Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre. Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve! Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën!
Rama: Lutje për Tetovën.
Basha: Pikëlluese lajmet e hidhura qe vijnë nga Tetova. Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve të viktimave e ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë tragjedi. Shërim të shpejtë të lënduarve. Lutemi për Tetovën!
Autoritetet zyrtare maqedonase nuk kanë qenë në gjendje në këto më shumë se 10 orë pas ngjatjes të japin numrin e saktë të personave të shtruar në spitale, ndërsa vazhdimisht ka pasur kritika me ndërtimin e spitaleve provizore, por që sipas qeverisë ishin të sigurta dhe me më pak kosto.
Lidhur me spitalin kishte pasur vërejtje nga ekspertë të ndryshëm, edhe mbi linjën e oksigjenit që ishte instaluar në të.
“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.
(E.K/Faxweb.al)