PYETJE PËR USHQYERJEN NË DIABET
Përgjigjet Dr. Shefqet Deliallisi
Pyetje : Mund të përdor sheqer?
E vërteta është se sheqeri ka reputacion të keq. Në të kaluarën njerëzit me diabet këshilloheshin të mos e përdornin atë. Disa njerëz madje besonin se ngrënia e sheqerit, shkaktonte diabet, gjë që nuk është e vërtetë. Ekspertët besonin se ngrënia e sheqerit e rrit shpejt dhe në shifra të larta nivelin e glicemisë, mbasi sheqeri në organizëm kthehet shpejt në glukozë. Po në glukozë mund të kthehen gjithashtu dhe ushqimet të tjera.
Tashmë nuk ka më kufizime për njerëzit me diabet. Ata mund të përdorin sheqer (sucroze), por në sasi të vogël. Preferohet shoqërimi me ushqime të tjera dhe të mos merret me stomak bosh. Sheqeri është një disaharid që kur tretet zbërthehet në sasi të barabarta: glukozë dhe fruktozë. Fruktoza, që gjendet dhe te frutat duke u dhënë atyre shijen e ëmbël, nuk ndikon mbi nivelin e glicemisë, krahasuar me bukën e bardhë, tek e cila gjithë polisaharidet që ajo përmban zbërthehen në glukozë duke shkaktuar rritje të shpejtë të glicemisë.
Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se sheqeri ka të njëjtin efekt mbi gliceminë si edhe karbohidratet e tjera buka, patatja etj. Kalori për kalori, sheqeri e ngre gliceminë afërsisht me të njëjtën vlerë si edhe karbohidratet e tjera. Ekspertët sot janë të mendimit se ju mund të hani ushqime me sheqer për sa kohë i llogaritni ato në planin e ushqimit, si ushqimet e tjera që përmbajnë karbohidrate. Kjo vlen për gjithë ëmbëlsuesit që përmbajnë kalori. Natyrisht, pjesa më e madhe e ëmbëlsuesve dhe embëlsirave, nuk sigurojnë vitamina dhe minerale, si ushqimet e shëndetshme (frutat, zarzavatet etj.). Nga ana tjetër duhet të kini parasysh se veç karbohidrateve, shumica e ëmbëlsirave, kanë përmbajtje të lartë në yndyra dhe kalori.
Megjithatë, si përfundim, duhet të keni parasysh se përdorimi i tepërt i sheqerit shkakton shtim në peshë dhe kjo nga ana e saj e rrit riskun për diabet Tip 2. Për ushqimet e sheqerosura, rregulli është: sasi të moderuara. Ngrënia me tepricë e ngre gliceminë më lart se ju prisni, si dhe bën që të shtoni peshë. Kur t’i përdorni, ëmbëlsirat, duhet t’i zëvendësoni me bukën, patatet ose karbo-hidrate të tjera komplekse, t’i përdorni në fund të ushqimit, që të treten më ngadalë dhe ta ndikojnë më pak nivelin e glicemisë si dhe duhet të kryeni aktivitet fizik shtesë për të djegur një pjesë të kalorive që ato përmbajnë.
Pyetje : Ç’janë ëmbëlsuesit që përdoren në vend të sheqerit?
Fakti që sheqeri nuk është aq i dëmshëm sa ju mendonit më parë, nuk do të thotë që të eliminoni përdorimin e ëmbëlsuesve pa kalori. Këto janë “ushqime të pastra” që i japin ushqimeve shije të ëmbël. Nuk kanë kalori, nuk ngrenë nivelin e glicemisë dhe mund të përdoren nga të gjithë. Embëlsuesit që përdoren më shpesh janë:
Saccharina – që ndryshe quhet dhe binjaku i sheqerit, mund të përdoret për ëmbëlsimin e ushqimeve të ngrohta dhe të ftohta. Është hedhur poshtë pretendimi se përdorimi i saj shkakton kancer.
Aspartame – është një tjetër ëmbëlsues, ndërsa më e fundit është sucralosa.
Të gjithë këta ëmbëlsues mund të ndihmojnë njerëzit mbi peshë dhe ata me diabet për të pakësuar kaloritë. Për më tepër janë të dobishëm për të kufizuar kaloritë dhe karbohidratet, kur përdoren në vend të sheqerit, në kafe, çaj, apo lëngun e frutave.
Duhet të kihet parasysh se kur merren me shumicë shkaktojnë diarre.
Pyetje : Si të veproj me bukën?
Për shumë njerëz buka siguron pjesën më të madhe të karbohidrateve në ushqimin ditor. Ajo vazhdon të përbëjë ushqimin bazë te ne. Aq e rëndësishme është për shqiptarët sa kur shkojnë të hanë drekë apo ndonjë vakt tjetër thonë “do shkoj të ha bukë” ose “ më ka marrë uria për bukë”. Çdo ushqim që përdoret në sasi të madhe, duhet të vlerësohet me kujdes të veçantë.
Për të vlerësuar bukën më parë duhet njohur mirë mielli më të cilin bëhet buka. Pjesa e bimës së grurit që përdoret për të prodhuar miellin është kokrra. Kokrra e grurit ka katër pjesë kryesore: germin, endospermën, krundet dhe cipën mbështjellëse, lëvoren.Germi është pjesa që rritet brenda bimës së grurit, e pasur me vitamina dhe minerale. Endosperma është pjesa e butë, e bardhe, brenda kokrrës që përmban karbohidrate komplekse (amidon) dhe proteina. Krundja është mbështjellësja mbrojtëse rreth kokrrës që ka funksion të ngjashëm me lëvoren e arrës, ajo është e pasur me vitamina, minerale dhe fibra. Dhe së fundi, lëvorja, nga e cila del byku, që përdoret si ushqim për kafshët. Kohë më parë njerëzit e bluanin grurin nëpërmjet dy gurëve, më pas e sitnin duke larguar bykun por duke mbajtur krundet, germin dhe endospermën duke përftuar kështu miellin integral, nga e gjithë kokrra të pasur në fibra,vitamina dhe minerale. Me përmirësimin e makinerive bluajtëse u bë e mundur largimi i germit dhe krundeve duke prodhuar miell më të pëlqyeshëm, të bardhë, të rafinuar, më të tretshëm, por që kishte humbur fibrat (krundet), vitaminat dhe mineralet duke krijuar probleme për shëndetin. Sa më shumë krunde të ketë buka, aq më e zezë është, aq më pak kalori ka dhe aq më ngadalë thithen karbohidratet që ajo përmban. Krundet janë fibra ushqimore, që nuk thithen në zorrë, për pasojë eliminohen të patretura. Të gjithë këto veçori të bukës së zezë janë shumë të dobishme për diabetikët dhe obezët që duan të bien në peshë dhe duan të ulin gliceminën mbas ngrënies.
Buka e zezë mund të përdoret çdo ditë, në sasi të moderuar, në mëngjes, në drekë dhe në darkë, në alternim me makaronat ose me orizin.
Pyetje : Po makaronat?
Makaronat janë burim i rëndësishëm i karbohidrateve komplekse (amidonit). Ato përmbajnë dhe proteina (10 % të totalit). Nisur nga karakteristikat e tyre ushqyese dhe gastronomike, përbëjnë një ushqim të mirë. Mund të hahen çdo ditë, në sasi të arsyeshme, në drekë ose darkë duke u alternuar me bukën, d.m.th kur ha makarona mos ha bukë.
Pyetje : Mendimi i përgjithshëm është se buka, patatet, makaronat, orizi të shëndoshin, është e vërtetë?
Ushqimet e pasura me karbohidrate komplekse (amidon),si buka, patatet, makaronat janë pjesë e ushqyerjes së shëndetshme. Buka e zezë, drithërat, orizi, patatet, bizelet, duhet të përfshihen në ushqyerjen tuaj. E rëndësishme është sasia. Kur ajo kalohet, ju mund të shëndosheni. Nga ana tjetër duhet të keni parasysh se këto ushqime janë dhe një burim i rëndësishëm fibrash.
(vazhdon)
Elbasaniflash.al
Burimi: Klinika mjeksore Elmedica