Çfarë ka ndodhur në Elbasan gjatë 24 orëve

0
2

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 38 vjeç, banues në Elbasan. Në subjektin që ai administron, për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve me përmbajtje metalike, gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, u konstatuan mbetje që nuk ishin trajtuar sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara nga grupi i inspektimit, subjekti u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
Xh. Ç., 58 vjeç, pasi dyshohet se ka pushtuar tokën e një shtetaseje dhe e ka kanosur atë, me fjalë;

S. H., 54 vjeçe, pasi dyshohet se i ka vjedhur portofolin një 36-vjeçareje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. T., 55 vjeç, pasi dyshohet se ka pushtuar tokën e shtetasit B. T., 40 vjeç, në fshatin Marinës, si dhe ka kryer punime ndërtimi në këtë pronë, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. K., 27 vjeç, pasi në muajin maj 2025, i ka marrë me qira automjetin, shtetasit M. K., 44 vjeç, dhe nuk ia ka kthyer më. Po punohet për kapjen e 27-vjeçarit dhe për gjetjen e automjetit.

Më datë 28.01.2026, ka kallëzuar shtetasi A. L., se i kanë vjedhur bizhuteri në dyqanin e tij, në bulevardin “Qemal Stafa”. Po punohet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.