“Çfarë ke me motrën time?” Zbardhet dinamika e vrasjes në Elbasan, autori pastroi thikën pas krimit dhe e fshehu në dollap

0
1085

Një lidhje dashurie e të vëllait u bë shkak për vrasjen e Florenc Koçaçit në Elbasan. Ora News zbardh të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë të regjistruar me 5 nëntor, në orën 19:30 të mbrëmjes.

Mikel Kovaçi, vëllai i viktimës që gjithashtu mbeti i plagosur, kishte një lidhje intime me motrën nga nëna të autorit të dyshuar të krimit, Ardit Hida.

Rreth orës 17:30, Aida Caushi ka shkuar tek “Sporti i vjetër” me biçikletë dhe aty është takuar me Mikelin, vëllain e tij Florencin (Lencin) dhe një shok të tyre me emrin Visi.

Pasi Hida ka marrë dijeni mbi lidhjen e motrës Aida Caushi me Mikelin është shfaqur rreth 2 orë më vonë, në 19.30 tek “Sporti i vjetër”, ku ka gjetur Aidën me vëllezërit Kovaçi dhe shokun e tyre Visi.

Ardit Hida është afruar aty dhe ka kapur nga bluza Visin duke i thënë “Çfarë ke me motrën time?”. Më pas aty është afruar Mikeli, të cilit dhe këtij i ka thënë të njëjtën gjë.

Në këtë moment Arditi ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe ia ka ngulur një herë në trup Mikelit i cili është larguar me vrap së bashku me shokun e tij Visin.

Në vend ka qëndruar vetëm Florenc Kovaçi ku Arditi e kishte kapur dhe e ka goditur një herë me thikë në zemër.

Aida është larguar menjëherë për në banesën e saj ndërsa Arditi pasi ka kryer këto veprime ka shkuar në lokalin e shtetasit Genci.K ku dhe ka pastruar thikën dhe më pas është larguar duke shkuar në banesën e tij.

Policia e ka gjetur Arditin në shtëpinë e gjyshes së tij së bashku me Aidën. Ai ka pranuar krimin ndërsa ka treguar se thikën e kishte fshehur në dollap.

Nga ana e policisë është gjetur dhe sekuestruar thika e cila ndodhej në dollapin e rrobave e lare dhe e pastruar nga Arditi.

Nga ana e policisë gjyqësore është shkuar te lokali i shtetasit Genci .K dhe nga kontrolli i kryer ka rezultuar se në tualetin e këtij lokali u gjetën disa kartopeceta të dyshuara me gjak dhe që me to është realizuar dhe pastrimi i thikës nga gjaku, gjithashtu u morën dhe pamjet filmike ku Ardit Hida shikohet që ka hyrë në këtë lokal.