Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse konsumoni speca çdo ditë?

0
2

Specat janë një perime popullore dhe përmbajnë shumë vitamina dhe minerale për të cilat trupi ynë ka nevojë. Kohët e fundit janë veçanërisht të njohura specat e kuq, të cilët janë pak më të ëmbël se specat jeshilë dhe të verdhë dhe gjithashtu përmbajnë pothuajse dyfishin e nevojës ditore të vitaminës C.

Një spec i kuq i mesëm (119 gramë) përmban 31 kalori, shtatë gram karbohidrate, tre gram fibra dietike, pesë gram sheqer, një gram proteina, pesë miligramë natrium dhe 152 miligramë vitaminë C (190 për qind e vlera ditore).

Megjithatë, çfarë ndodh kur i hani ato çdo ditë ose disa herë në javë? Dietologet Erika Barrera dhe Kristi Wale shpjeguan sesi konsumimi i përditshëm i specave mund të ndikojë në trupin tuaj.

Zvogëlojnë inflamacionin

Specat janë të pasur me fitokemikale dhe lëndë ushqyese që kanë veti natyrale antioksiduese dhe anti-inflamatore. Komponimet e pranishme në speca kanë një efekt pozitiv në shëndet duke reduktuar inflamacionin dhe dihet se inflamacioni afatgjatë mund të shoqërohet me sëmundje kronike si diabeti apo sëmundjet e zemrës.

Përmirësojnë shëndetin e syve

Specat përmbajnë karotenoidë, zeaksantinë dhe luteinë, të cilat mund të ndihmojnë në mbrojtjen e syve. Gjegjësisht, zeaxanthin është një antioksidant që grumbullohet në pjesën e syrit të quajtur makulë dhe ndihmon në mbrojtjen nga dëmtimet e shkaktuara nga drita blu. Prandaj, ngrënia e specave zile ndihmon në reduktimin e dëmtimit të syve të shkaktuar nga burimet e dritës blu.

Forcojnë sistemin imunitar

Sipas dietologes Kristi Wale, konsumimi i përditshëm i specave ofron një sërë lëndësh ushqyese për sistemin tonë imunitar. Siç është thënë tashmë, një spec i kuq ofron pothuajse dyfishin e nevojave ditore të vitaminës C, dhe kjo vitaminë dihet se ndihmon në luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera.

Mbrojnë shëndetin e trurit

Ngrënia e specave zile mund t’ju ndihmojë të mbani trurin tuaj të shëndetshëm dhe të parandaloni humbjen e kujtesës. Një studim zbuloi se flavonoidet, acidet fenolike dhe karotenoidet që gjenden në speca mund të parandalojnë humbjen e kujtesës të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit.

Ndihmojnë me tretjen

Specat janë një burim i shkëlqyer i fibrave që ofron shumë përfitime shëndetësore, duke përfshirë tretje më të mirë, përmirësim të shëndetit të zemrës dhe nivele të qëndrueshme të energjisë. Fibrat janë të nevojshme për ruajtjen e shëndetit të zorrëve tona dhe të gjithë sistemit tretës, si dhe ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak dhe kolesterolit.

/Motilokal.com