Çfarë po na fshihet? AKU mijëra kontrolle dhe penalizime për bukën, ekspertët ngrenë ALARMIN

0
3

Çmimi i bukës vitet e fundit është rritur, pesha ka ndryshuar, ndërsa cilësia mbetet shpesh e diskutueshme.

Konsumatori përballet çdo ditë me produkte që duken të njëjta, por që ndryshojnë ndjeshëm në përbërje dhe vlera ushqyese. Megjithatë, informacioni që i ofrohet publikut është i kufizuar, ndërsa transparenca në zinxhirin e prodhimit mbetet problematike.

  • “Me kalim e kohës në kemi parë si konsumatorë që vit pas viti është rritur çmimi i bukës, por kjo nuk është shoqëruar me rritjen e cilësisë së saj“, u shpreh Ana Vuksani, Pedagoge UBT.
  • “Shikojmë vitet e fundit është rritur 30-40% çmimi i bukës, kur çmimi i miellit nuk ka qenë në ato vlera por edhe po të rritje çmimi i miellit përsëri çmimi i bukë nuk do të duhej të rritje aaq, edhe aty ka abuzime në peshën që behet. Kontrollohet vetëm ajo buka standarde po bukët e tjera, ato janë të lirë jashtë këtij kontrolli”, u shpreh Sokol Abazi, kimist.

Përmes analizës së dokumenteve zyrtare dhe përballjes së tyre me realitetin në terren, ky investigim vë në dukje boshllëqet mes ligjit dhe zbatimit të tij.

  • “Buka është një nga produktet më masive të konsumueshme. Të paktën në Shqipëri, të gjithë jemi konsumatorë të bukës dhe autoritet përgjegjëse duhet të ishin me të kujdesshme për garantimin e produktiti i cili shitet më masivisht sesa produktet e tjera”, u shpreh Ana Vuksani, Pedagoge UBT.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ushtron kontrolle të vazhdueshme në furrat e bukës. Zyrtarisht ky institucion i tha “InsideStory” se gjatë 5 viteve të fundit, janë kryer 7547 inspektime në total në subjektet me veprimtari specifike: Njësi prodhimi e tregtimi buke. Nëlaboratorë janë analizuar 3194 mostra për përcaktimin e lagështirës, aciditetit, porozitetit dhe klorurit të natriumit.

  • AKU: “Në laboratorin e ISUV-se nga viti 2021 deri në 2025 janë analizuar 26 mostra bukë për ngjyrues. Nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së nga viti 2021 deri në 2025 janë marrë 1722 masa administrative paralajmërime, 58 masa administrative gjobë,13 raste bllokim produkti, 1 rast asgjësimi produkti dhe 8 raste ndërprerje aktiviteti.

Siç vërehet nga këto rezultate të veprimtarisë së AKU, nuk kanë munguar shkeljet nga prodhuesit e bukës. Por, ajo që kuptohet mes rreshtave është fakti se gama e analizave është e ngushtë. Thuajse nuk ka raportime për ndotje të bukës nga metalet e rënda të cilat përbëjnë rrezik. Por, për këtë, do të flasim pak më poshtë. Mielli, si element kryesor në prodhimin e bukës ka nevojë për garanci.

  • AKU: “Në këtë aspekt një sistem efektiv i kontrollit kufitar kërkon që të gjitha dërgesat që importohen në Shqipëri duhet të kenë bërë kontrollin e dokumentacionit, të identitetit dhe fizik nën përgjegjësinë e inspektorit te Pikat e Inspektimit Kufitar përpara se të lirohet për qarkullim të lirë.”
  • “Mielli që vjen në pikat e kalimit kufitar duhet ta ketë të shënuar përse do të përdoret. Shumë nga kompanitë abuzojnë sepse miellin që sjellin në fakt për kadaif që ka 7% apo 8% proteina bëhet bukë”, u shpreh Ana Vuksani, pedagoge UBT.

Sëmundja e patates ështënjë tjetër pikë ku konsumatori duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Kjo sëmundje tek buka ndodh për shkak të temperaturave të larta në verë por edhe nga përdorimi i miellit me ngarkesë bakteriale. Ky fenomen është konstatuar edhe nga AKU por publikisht thuajse nuk njihet si problematikë.

  • AKU: Sipas specialistëve, buka me sëmundjen e patates, duket e rregullt në pamje të parë, pasi korja e saj të jep përshtypjen e një prodhimi normal, por në të vërtetë, buka e infektuar është e qullët në brendësi. Nëse tulin e saj e kapim me duar, ajo ngjitet pas gishtërinjve. Një bukë e infektuar nga sëmundja e patates dallohet edhe nga ngjyra e saj, pasi një bukë e tillë ka ngjyrë të verdhë në kafe dhe veç kësaj ka aromën e pjeprit.