Sipas shortit të hedhur në Nion Partizani do të luajë me BATE Borisov në turin e parë kualifikues të Champions. Ekipi kampion i Shqipërisë ka për kundërshtar një skuadër me histori në të kaluarën, pasi në këtë turne arriti disa herë deri në fazën e grupeve të këtij turneu.
Por gjithsesi, bjellorusët nuk kanë patur të njëjtin shkëlqim në sezonet e fundit, ku janë eliminuar menjëherë nga aktiviteti. Vite më parë BATE Borisov ka luajtur me Skënderbeun.
Ndeshja e parë do të luhet në Shqipëri në 11 ose 12 Korrik dhe ajo e kthimit, 1 javë më vonë. Në turin e parë do të marrin pjesë Ballkani si kampion i Kosovës që do të luajë me bullgarët e Ludogorets dhe Struga si kampion e Maqedonisë së Veriut.
Këto skuadra drejtohen nga Ilir Daja dhe Shpëtim Duro, dy trajnerë me përvojë nga Superiorja.
Po të martën është hedhur edhe shorti i Conference League. Tirana do të luajë Dinamo Batumi të Gjeorgjisë, Vllaznia me Linfield e Irlandës së Veriut, ndërsa Egnatia debutuese në Kupat e Europës me Ararat të Armenisë. Ndeshjet e para do të luhen më 13 Korrik, ndërsa ato të kthimit më 20 Korrik.