Chelsea pranë shitjes rekord në historinë e futbollit. Grupi i miliarderëve gati të shpenzojë shumën marramendëse

0
139

Hapet një kanal ekskluziv në bisedimet për blerjen e klubit të Chelseat pasi Roman Abramovich u detyrua të hiqte dorë për shkak të sanksioneve. Një grup investitorësh të drejtuar nga miliarderi Todd Boehly mes të cilëve edhe zvicerani Hansjorg Wyss, janë në bisedime dhe në korsinë e preferuar të bordit që menaxhon përkohësisht klubin.

Sipas “Wall Street Journal”, bisedimet janë fokusuar në shumë detaje por shuma totale e shitjes do ta kalojë kufirin 3 miliardë euro. “Daily Mail” shkon edhe më tej duke theksuar se shuma është 4 miliardë por pavarësisht shifrave, Chelsea është në rrugën e duhur për të ndryshuar pronar dhe mesa duket do të bjerë sërish në duar të pasura.

Miliarderi zviceran është biznesmen i aparaturave mjekësore dhe drejtuesi më i lartë i kompanisë “Eldridge Industries”. Nëse marrëveshja firmoset duhet të marrë dritën jeshile nga Qeveria Britanike pasi momentalisht të gjitha llogaritë e Abramovich janë ngrirë për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Asnjëherë më parë nuk është paguar një shumë e tillë për të blerë një klub futbolli ndërsa Wyss dhe Boehly vlejnë sëbashku rreth 10 miliardë dollarë pasi kanë mbështetjen e shoqërisë së investimeve “Clearlake Capital”. Momentalsiht Chelsea nuk mund të shesë bileta dhe as të nënshkruajë kontrata marketingu për shkak të sekuestros që është vendosur ndaj klubit, ndërsa pagesat për lojtrarët do të vazhdojnë të kryhen rregullisht.