
“Lidhja ime e dashurisë me Juventusin nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë kurrë. Dashuria është kaq e madhe nga ana ime dhe gjithashtu besoj nga ana e klubit, sa nuk do të përfundojë kurrë.
Në fund të sezonit do ta vlerësoj situatën me dy familjet e mia: atë në shtëpi dhe klubin”. Pas suksesit kundër Sassuolos që konsolidon zonën e Ligës së Kampionëve të bardhezinjve, Giorgio Chiellini shikon nga e ardhmja:
“Sigurisht që duhet të bëj disa vlerësime edhe me familjen time, por së pari vjen vendi i katërt dhe Kupa e Italisë. Vetëm më pas do të mendoj për pjesën tjetër. Vitin e kaluar rinovova pas Kampionatit Evropian, i jetoj ditët me qetësi dhe lumturi”.
Pra, nuk ka asnjë të dhënë për të ardhmen, edhe nëse duke analizuar fitoren e “Mapei”, Chiellini foli si lojtar (“tani është e rëndësishme ta mbyllim në vendin e katërt, pastaj ndoshta përpiqemi të arrijmë sa më lart.
Mbyllja e mirë do të ndihmonte për një fillim më pozitiv sezonin e ardhshëm”), dhe si menaxher (“rruga e rritjes ka qenë e rëndësishme, por renditja reflekton atë që kemi parë dhe është e drejtë. Ambicia e këtij ekipi është të fitojë, ne nuk duhet të jemi të kënaqur, të mos heqim dorë kurrë nga përpjekja për të arritur sukses”).
Juventus mori 12 pikë kur u gjend në disavantazh më 2022 në Serie A, të paktën 5 pikë më shumë se çdo ekip tjetër. “A është gjë e mirë apo e keqe? – pyet Chiellini duke qeshur. – Ne kemi karakter, kjo skuadër ka krenari, por duhet ta tregojmë veten edhe para se të marrim shuplakën. Ka vend për rritje, përndryshe nuk do të ishim të katërtit”.
