Cilat janë institucionet më të korruptuara në Shqipëri, sipas perceptimit qytetar?

0
295

Në dekadat e para të tranzicionit kryesonin doganat, tatimet, institucionet e pronësisë, policia, etj, por dekadën e fundit kurba e institucioneve më të korruptuara ka ndryshuar rrënjësisht. Fillimisht ishte sistemi gjyqësor institucioni më i korruptuar dhe për këtë shkak nisi reforma në drejtësi (ndryshimi i Kushtetutës 2016, vettingu, institucionet reja të drejtësisë, etj), reformë e cila ka arritur në 30%-40% të rrugës dhe me gjithë ndryshimet radikale ende nuk ka prodhuar drejtësi.

Por është në rrugën e jetësimit dhe duhet pritur deri të funksionimin e plotë të saj më 2021-2023. Prej 2-3 vitesh institucioni më shumë i korruptuar shfaqen partitë politike. Barometër 2020 për Ballkanin dhe veças ai për Shqipërinë, e konfirmoi këtë fakt.

Sipas perceptimit, partitë politike në Shqipëri 90-91% janë institucione të korruptuara dhe vetëm 9-10% mendojnë se ato nuk janë të prekura nga korrupsioni. E dhëna rezulton edhe më alarmante në krahasim rajonal, ku përqindja 90-91% për Shqipërinë është shumë më e lartë sesa perceptimi i korrupsionit për partitë në Kosovë, Bosnje, Serbi, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Pavarësisht nga kjo e dhënë alarmante, ndryshe nga reforma në drejtësi, për partitë politike nuk as reformë dhe as ndonjë strategji ndryshimi. Korrupsionin në drejtësi mund ta kufizojë ndjeshëm vettingu, kurse për partitë nuk ka as vetting dhe as mekanizma institucionalë kontrolli.

Cilat janë institucionet më të korruptuara në Shqipëri,

Ligji i partive politike (2000) është de facto jo funksional dhe partitë kanë humbur funksionin përfaqësues dhe ndërmjetësues të vendimmarrjes politike, duke u bërë gjithnjë e më shumë kompani biznesi me ndikime abuzive në emërime në administratë, në vendimmarrje klienteliste, në ndikim monopol në treg, media, shoqëri, e kudo tjetër, pa një sistem të brendshëm transparente dhe llogaridhënës, me impakt absolut në destabilitetin e vendit dhe dobësimin e institucioneve kushtetuese, me personalizim e familjarizim të tyre dhe të institucioneve të dala prej tyre, si dhe me një aleancë të dukshme me oligarkinë politike-ekonomike-mediatike në Shqipëri.

Partitë kërkojnë llogari për të gjithë e për gjithçka, por ju japin llogari për asgjë. Në emër të Kushtetutës ato ndikojnë tek të gjithë të tjerët, por vetë ato, asnjëherë nuk kanë përmbushur detyrimin e nenit 9 të Kushtetutës (transparenca financiare, organizimi demokratik, roli konstruktiv në sistemin politik).