Çmimet e karburantit “të ngrira”, në tregje janë ulur me afërsisht 20% në dy muajt e fundit

0
133

Çmimet e naftës në tregjet botërore kanë rënë ndjeshëm krahasuar me nivelet maksimale vjetore që shënuan mes muajve shtator dhe tetor.

Në fillim të kësaj jave, nafta Brent tregtohej pranë vlerën së 78 USD për fuçi, ndërsa në fund të muajit shtator, çmimi i naftës bruto arriti nivelin më të lartë për vitin 2023, me 96.55 USD për fuçi. Në dy muajt e fundit, çmimi i naftës bruto ka rënë me afërsisht 18%.

Kjo rënie në vija të përgjithshme reflektohet edhe në çmimet e bursës së produktit final.

Ditën e hënë gazoili tregtohej në Bursën e Londrës me një çmim prej afërsisht 793 USD për ton, në vlera ndjeshëm më të ulëta krahasuar me nivelin prej pothuajse 1000 USD/ton të dy muajve më parë.

Por, prej afërsisht dy muajsh tendenca në rënie e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk po reflektohet aspak në çmimet me pakicë të karburanteve në Shqipëri. Çmimet e gazoilit dhe benzinës në pikat e shitjes janë praktikisht të pandryshuara pranë nivelit të 200 lekëve për litër.

Madje, as forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me dollarin gjatë muajit nëntor nuk ka sjellë ulje të çmimeve. Të hënën dollari amerikan këmbehej në vlerën e 93.63 lekëve, në rënie me më shumë se 7% krahasuar me fillimin e muajit tetor, kur paralelisht edhe çmimet e gazoilit ishin në nivelet më të larta vjetore.

Shifrat e analizuara nga Auitoriteti i Konkurrencës kanë treguar se tregu i karburanteve ka një shkallë të lartë përqendrimit në nivel të importit dhe të tregtimit me shumicë. Deri vitin e kaluar, tre kompanitë më të mëdha (Kastrati, Gega Oil dhe Europetrol Durrës) zotëronin rreth 75% të tregut me shumicë të naftës.

Hetimi i fundit i Autoritetit të Konkurrencës në këtë treg, që u mbyll në vitin 2022, nuk evidentoi shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Megjithatë, mungesa e plotë e elasticitetit të çmimit në tregun e karburanteve në muajt e fundit krijon dyshime për mirëfunksionimin e konkurrencës.

Shfuqizimi i Bordit që përcaktonte çmimet tavan të karburanteve në muajin qershor të këtij viti nuk duket të ketë ndikuar në një rritje të konkurrencës në këtë treg.

Madje, diferencat në çmimet me pakicë mes kompanive të mëdha, të integruara vertikalisht në nivele të ndryshme të tregut dhe pikave të tjera të shitjes me pakicë duket se janë ulur edhe më shumë.

Raiffeisen Research: Çmimet e naftës bruto do të ulen në tre vitet e ardhshme

Raiffeisen Research parashikon se gjatë dy viteve të ardhshëm oferta për naftë bruto do të tejkalojë gradualisht kërkesën dhe kjo do të sjellë ulje të çmimeve.

Sipas analizës së fundit të njësisë së kërkimeve të grupit bankar vienez, çmimi mesatar i naftës Brent parashikohet mesatarisht pranë nivelit të 85 dollarëve për fuçi deri në fund të vitit 2024, por për shkak të një rritjeje më të ngadaltë të kërkesës ai pritet të bjerë në 75 USD për fuçi në vitin 2025 dhe në 70 USD për fuçi në vitin 2026.

Deri më tani, prodhuesit më të mëdhenj të OPEC-10 (Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti) kanë rënë dakord ta mbajnë vetë përsipër uljen e prodhimit, pa bashkëpunimin e prodhuesve më të vegjël anëtarë të kartelit.