Çmimet e prodhimeve bujqësore shënuan rritje të lehtë

0
148

Çmimet e prodhimeve bujqësore shënuan një rritje të lehtë prej 0.8% përgjatë vitit 2020 të ndikuara kryesisht nga rritja e çmimeve të prodhimeve blegtorale.

INSTAT publikoi sot raportin mbi Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore.
Sipas raportit, çmimet e prodhimeve bimore shënuan rënie prej 2 %, ndërsa çmimet e prodhimeve blegtorale shënuan rritje me 4,5 %, krahasuar me një vit më parë.

Rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar çmimet produkteve të qumështit me 8,1 %. Rritje krahasuar me një vit më parë rritje kanë pësuar edhe çmimet e produkteve të drufrutorëve me 2,6 %, mishit me 2 % dhe çmimet e drithërave me 1,5 %.

Nga ana tjetër, çmimet e patateve shënuan një rënie të konsiderueshme prej 29,4 % krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu rënie krahasuar me një vit më parë pësuan edhe çmimet e bimëve foragjere me 2,9 %, perimeve me 1,4 % dhe bimëve industriale me 0,8 %.

Shqipëria është ndër vendet me peshë të lartë të bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), rreth 20 %, ndërsa jep një kontribut me rreth 36 % në punësim.

Skemat e IPARD-it dhe ato kombëtare po mbështesin prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë jo vetëm për futjen e teknologjisë dhe teknikave modern por edhe me informacion ku bujqit orientohen me kërkesat e tregtarëve dhe grosistëve në mënyrë që të kryhet edhe planifikimi i mbjelljeve.

INSTAT publikoi një javë më parë statistikat e bujqësisë për vitin 2020. Referuar të dhënave, pavarësisht nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID-19, prodhimi i perimeve është gati 1.3 milionë tonë, duke shënuar rritje vjetore me rreth 3 %, krahasuar me vitin 2019.

Kjo tendencë në rritje e prodhimeve bujqësore i atribuohet kryesisht edhe kërkesës së lartë për produkte “Made in Albania” në tregjet e huaja.

Eksportet e produkteve bujqësore në vitet e fundit janë katërfishuar duke arritur në 400 milionë dollarë nga 100 milionë dollarë në 2013-ën. Po ashtu edhe sipërfaqja e tokës së punuar është dyfishuar. /a.a/