Drejtuesit e automjeteve do të përballën sërish me çmime të larta të karburanteve. në vendimin e fundit të Bordit të Administrimit të Karburanteve vlerat kanë shënuar një tjetër rritje, të tretën brenda pak ditëve.
Duke filluar nga kjo e shtunë një litër naftë do të tregtohet me 245 lekë për litër nga 233 që ishte më parë. Për të parë Rritje të ndjeshme ka shënuar dhe çmimi i gazit, i cili ka arritur 110 lekë për litër nga 93 lekë që ishte në rishikimin e fundit të Bordit.
Vetëm benzina ka mbetur e pandryshuar e do të vijojë të shitet kundrejt 218 lekëve për litër.
Këto çmime janë në fuqi deri më 1 prill, kur dhe bordi pritet të mblidhet sërish për të fiksuar vlerat e reja me të cilat do të tregtojnë pikat e karburantit.
Me rritjen e fundit të çmimit, nafta po i afrohet nivelit rekord që arriti në fillim të marsit kur dhe qeveria e detyruar nga protestat e qytetarëve vendosë të krijojë Bordin e Transparencës.
Por edhe pse mban emrin domethënës për paraqitjen e të dhënave, ende nuk është e qartë skema e përdorur për caktimin e çmimeve.
Prej krijimit në vendimin e parë Bordi vendosi uljen e çmimit të naftës deri në 203 lekë për litër, por që prej asaj dite nafta në vendin tonë ka njohur vetëm rritje pavarësisht luhatjeve që ka pasur në bursë.
Aktualisht çmimi në bursa për një fuçi është 119 dollarë, i njëjti nivel kur çmimi i naftës në Shqipëri ishte 221 lekë për litër.