Çmimi i vajti rritet me 16 lekë, ja sa do kushtojë mielli, orizi dhe sheqeri

0
136

Edhe pse u krijua nga qeveria për të rregulluar situatën me çmimet pas abuzimeve që po ndodhnin në treg, Bordi i Transparencës ka vendosur në mbledhjen e fundit të rrisë çmimin e vajit.

Duke filluar nga kjo e mërkurë, qytetarët do ta blejnë një litër kundrejt 321 lekëve, 16 lekë më shumë se një ditë më parë. Bordi ka caktuar çmimet referencë dhe për 3 produktet e tjera të shportës.

Sheqeri do të shitet 123 lekë, orizi 104 lekë dhe mielli 90.5 lekë për kilogram.

Vendimi i Bordit të Transparencës për çmimet e produkteve të shportës është marrë në datën 1 prill, por u publikua këtë të mërkurë.

Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 milionë lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 mln lekë.

Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

Ndër të tjera, akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjithë tregtarët janë të detyruar të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit për garantimin e popullatës me furnizime.

Ndërkohë, Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar të gjitha institucionet shtetërore, që zhvillojnë procedura prokurimi për produktet e miratuara me vendim Bordi, të mbajnë në konsideratë çmimet e fiksuara.