Covid-19, 700 mijë viktima në botë, mbi 18,5 mln të infektuar, kryesojnë SHBA-ja, Brazili, India

0
263

Më shumë se 18 milionë e gjysmë persona janë diagnostikuar me koronavirusin e ri dhe 700 mijë nga ta kanë humbur jetën në këta muaj. SHBA-ja, Brazili, India dhe Meksika kryesojnë për numrin e viktima që po rriten mesatarisht me 5,900 çdo ditë.

Koronavirusi i ri e rriti të mërkurën në 700 mijë bilancin e viktimave në mbarë botën.

Bazuar në të dhënat e universitetit amerikan “Xhon Hopkins”, infeksioni në këta 8 muaj ka prekur 18 milionë e gjysmë persona, nga të cilët mbi 11 milionë kanë arritur të shërohen.

Numri i rasteve të reja të diagnostikuara me kovidin e ri kapërceu 400 mijë brenda ditës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen të parat për përmasat e tragjedisë epidemike, me mbi 156 mijë jetë të humbura dhe gati 5 milionë të infektuar, ndjekur nga Brazili me rreth 3 milionë të infektuar dhe më shumë se 95 mijë jetë të humbura.

Këto dy shtete pasohen nga Meksika me 48,800 viktima dhe Britania e Madhe, 46 mijë të tilla.

India, Rusia dhe Afrika e Jugut plotësojnë 5 vendet e para për numrin më të madh të rasteve.

Kina, vatra fillestare e epidemisë, raportoi të mërkurën vetëm 27 pacientë të rinj me kovidin-19, duke konfirmuar një total prej 84 mijë personash që prej funddhjetorit të kaluar dhe 4,600 viktima.

Në vendet e tjera evropiane, unioni i doktorëve gjermanë tha të martën se Gjermania po përjeton valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, ndërsa në Francë, këshilli shkencor i qeverisë paralajmëroi se vendi mund të humbasë kontrollin ndaj infeksionit të kovidit të ri.

Kryeministrat e shteteve kryesore të kontinentit kanë udhëzuar qytetarët e tyre të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojë lufta me virusin në nivel shtetëror, lokal dhe institucional.

Në SHBA, administrata e presidentit Donald Trump po mendon rihapjen e shkollave gjatë vjeshtës për sa kohë që nxënësit respektojnë rregullat e higjienës dhe të distancimit social.

Në frontin e vaksinave, ndërkaq, kompania amerikane, Novavax, njoftoi se një produkt i saj eksperimental kundër kovidit-19 ka nxitur një reaksion të fortë imunitar me prodhimin e më shumë antitrupave për të luftuar infeksionin te pacientët.

Faza e fundit e testimit klinik është vendosur të zhvillohet në vjeshtë, dhe nëse rezulton pozitive, më shumë se 100 milionë doza të vaksinës do mund të prodhohen fillimin e vitit 2021.

Ora news