Ndeshja e parë gjysmëfinale në Kupën e Italisë mes Juventusit dhe Interit përfundoi me pamje të shëmtuara, pasi lojtarët nga të dy palët u përleshën në fushë dhe madje edhe në tunel.
Romelu Lukaku e shpëtoi Interin nga disfata, duke shënuar nga penalltia në kohën shtesë për 1:1, pasi Juan Cuadrado e kishte kaluar Juven në epërsi paraprakisht në Allianz Stadium.
Sulmuesi belg i zikaltërve ishte cak i fyerjeve raciste nga tifozët vendas dhe vendosi ta festojë golin duke e vendosur gishtin tregues në buzë, më sa duket për t’i heshtur ata.
Kjo i kushtoi atij me kartonin e dytë të verdhë dhe me përjashtim nga loja. Përveç tij u përjashtuan edhe portieri i Interit Samir Handanovic dhe Cuadrado.
Cuadrado e nisi një përleshje duke e sulmuar së pari Lukakun pas për mënyrën se si ai e festoi golin dhe për ta vazhduar atë me Handanoviqin pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale Cuadrado shihet duke e goditur me grusht portierin e zikaltërve.
Kur u duk se gjërat u qetësuan në fushë pas një përleshjeje disa minutëshe, gjërat u përshkallëzuan edhe në tunelin e stadiumit.
Interi dhe Juventusi do ta ketë edhe një ndeshje tjetër gjysmëfinale në kupë, ku do të përcaktohet finalisti, në Giuseppe Meazza.