Që prej 2013-ës, duket janë krijuar terrene dhe mundësi, për kartelin mafioz meksikan ‘El Chapo’, që të futej në Shqipëri me biznese pastrim parash duke marrë asete nga shteti, nëpërmjet anëtarëve të saj si Besnik Lulaj nga Vlora.
Deri tani, “Pamfleti” ka publikuar dokumente zyrtare, që vërtetojnë se ata janë pajisur me licenca për dy kazino në Vlorë e Tiranë; leje për resort me “5 Yje”, “Marina Bay” ngjitur me vilën qeveritare në Vlorë, e madje duke grabitur pjesë nga territori i saj.
Qeveria u ka dhënë dhe monopolin e prodhimit, ekskluzivitetin e tregut shqiptar dhe eksportimit të midhjeve, me qendër aktiviteti në Liqenin e Butrintit; për të cilin nuk paguajnë asnjë qindarkë në shtet, ndërsa me firmën “Valona Construksion”, e po u jep miliona euro tenderë e leje për kulla.
Besnik Lulaj, me vendime e kontrata koncesionare qeveritare, është futur dhe në biznesin e kultivimit të agrumeve, vreshtave, ullinjve e linjave të përpunimit në zonën e Xarrës, duke shfrytëzuar toka e objekte shtetërore.
Në këtë biznes, Besnik Lulaj, është ortak me klanin “Ismailaj” të Bablokut te kulla e stadiumit “Arena Center”; të cilët, përveç 50% të tenderëve të investimeve publike e kullave, ka marrë dhe lejet për 3 resorte, mes tyre 50 hektarë tokë falas brenda Parkut të Butrintit, për kompleksin e vilave “Manastiri”.
Në zonën e Xarrës pranë liqenit të Butrintit, ku ka ngritur stabilimentin e midhjeve; Besnik Lulaj dhe Ardit Ismailaj, me 24 korrik 2014 kanë krijuar fermën “Agrokulturë Xarrë”, ku kanë 75.43% të pronësisë, ndërsa pjesën tjetër e kanë 5 persona kukulla të lidhur me ta, sa për efekt krijimi shoqërie bujqësore, sipas kriterit të përcaktuar me VKM nr. 470, datë 22 maj 2013.
Ndërsa në datën 27 janar 2015, ata kanë nënshkruar një Kontratë Qiraje Nr. 752 me Ministrinë e Bujqësisë, duke marrë 100 hektarë tokë bujqësore dhe 1800 m2 objekte shtetërore falas në Xarrë, me afat 99 vite dhe pa asnjë detyrim ndaj shtetit.
Në fillim të vitit 2020, ata nisën ndërtimin e magazinave e fabrikave të përpunimit dhe prodhimit të pijeve, lëngjeve e konservimit, mbi sipërfaqe zonë arkeologjike të Xarrës pranë Butrintit.
Punimet i bllokoi Ministria e Kulturës me Vendim nr. 264, datë 17 gusht 2020 të, mbështetur në faktin që toka e dhuruar nga qeveria, është zonë e mbrojtur dhe në eksplorim nga UNESCO.
Por me urdhër të Bablokut, vendimi bllokues është shpërfillur, ndërsa Besnik Lulaj i kartelit El Chapo dhe Ardit Ismailaj i klanit “Ismailaj” te kulla e stadiumit në Tiranë, kanë vazhduar punimet, duke ndërtuar magazina e punishte për fermën “Agrokulturë Xarrë”.
Sipas dokumentit, Vendim nr. 2, datë 8 gusht 2021, Besnik Lulaj e Ardit Ismaliaj, në pazar me qeverinë, sajuan një kërcënim me gjyq ndaj Ministrisë së Bujqësisë e tërheqje, për gjoja mos zbatim kontrate të tokës dhe zhvatën 400 milionë lekë fitim të munguar, duke sajuar proteste me disa punëtorë të tyre, si gjoja pronarë të sipërfaqeve të tokave.
/ Marrë me shkurtime nga “Pamfleti”