Dy byzylykë diamanti që i përkisnin mbretëreshës franceze Marie-Antoinette do të dalin në ankand në muajin nëntor, në Gjenevë, njoftoi të mërkurën shtëpia e ankandeve Christie’s. Rrathët, të zbukuruar me 112 diamante në total, do të shiten së bashku në shifrën 2-4 milion dollarë. Ky vlerësim “përfshin jo vetëm vlerën e brendshme të diamanteve, por edhe faktin që blerësi do të mbajë bizhuteri që dikur I përkisnin mbretëreshës së famshme Marie-Antoinette,” tha specialistja e Christie’s, Marie-Cecile Cisamolo.
Bizhuteritë historike ndërkohë mund të shkojnë lehtësisht për shumë më tepër sesa çmimi i kërkuar.
“Siç shihet në shitjet e fundit në Gjenevë, tregu për bizhuteritë me origjinë nga radhët e fisnikëve vazhdon të funksionojë jashtëzakonisht mirë,” tha Francois Curiel, kryetari i divizionit luksoz të Christie.
Në vitin 2018, një varëse perlash dhe diamanti natyror që i përkiste mbretëreshës fatkeqe franceze u vlerësua nga shtëpia e ankandit Sotheby’s në 1-2 milion dollarë, por u shit për 36 milion dollarë.
Madhësia e diamanteve antikë varion nga një deri në katër karat. Në total, Christies vlerëson se byzylykët përbëjnë 140 deri në 150 karat.
Marie-Antoinette, mbretëresha e fundit e Francës pagoi 250,000 livra, “një shumë e madhe në atë kohë”, tha Christies. Pastaj erdhi revolucioni. Para se të përpiqej të ikte nga Franca me mbretin Louis XVI dhe fëmijët e tyre, Marie-Antoinette u sigurua që bizhuteritë e saj të dërgoheshin jashtë vendit. Ajo u ekzekutua në gijotinë në Paris në tetor 1793, në moshën 37 vjeçare./Ora News/