Fax News ka siguruar pamjet nga banesa në lagjen 1 Maji të Vlorës, ku bashkëshorti i vdekur u mbajt disa ditë në banesë nga gruaja e tij, e cila dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.
Valentina Prenga ka mbajtur të vdekur në banesë burrin e saj Llazar Prenga, ndërkohë që mëngjesin e sotëm kur Policia kishte shkuar në banesën e saj, ajo nuk ua kishte hapur derën.
Është dashur ndërhyrja me forcë e Policisë, që të konstatohej trupi i pajetë i kryefamiljarit.
Fillimisht kanë qenë fqinjët ata që kanë shkuar pranë banesës, pasi kanë konstatuar se Llazar Prenga kishte ditë që nuk dilte, ndërsa janë përballur me Valentinën e cila i ka share dhe iu ka bërtitur që të largoheshin.
Më pas ata kanë lajmëruar menjëherë Policinë, e cila ka shkuar në banesë, dhe pas rezistencës për të hapur derën, e kanë shqyer atë dhe e kanë gjetur Llazar Prengën të vdekur, dhe të mbuluar me jorgan.
Valentina Prenga është shoqëruar për në Polici ku dhe do të merret në pyetje nga ana e hetuesve, ndërsa nuk dihet nëse çifti ka pasur apo jo fëmijë.
Nuk dihet ende nëse vdekja e Llazar Prengës ka qenë natyrale, ndërkohë që hetimet për ngjarjen e rëndë janë duke vijuar nga ana e grupit hetimor që ka mbërritur pranë banesës.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 19.03.2021, rreth orës 11:15, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, është gjetur i vdekur pa shenja dhune, shtetasi Ll. P., 74 vjeç. Paraprakisht dyshohet për vdekje natyrale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)