“Dallohej që ishte dhunuar, por askush s’e thoshte”/ Flet motra e Egli Progës: Është vrasje e kryer në bashkëpunim

0
83

Jonida Proga, e motra e 42-vjeçarit, Egli Progës që u dhunua për vdekje pasditen e 10 Gushtit në Pogradec, thotë se Policia e Shtetit dhe Ambulanca, nuk kanë reaguar në kohë për t’i ardhur në ndihmë vëllait të saj, në momentin e ngjarjes.

“Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.”, tha ajo.

Mes të tjerash, Jonida Proga shprehet se Policia, nuk i ka dhënë asnjë informacion, ndërsa hedh akuza ndaj tyre se se kanë tentuar të fshehin ngjarjen.

“Egli ishte njeriu më i butë, më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, nuk e di ccka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar, dhe më pas e kanë vrarë. Është vrasje në bashkëpunim, nuk është vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka patur shirita, makinat kalonin aty, njerëzit pinin kafe.”

E motra e viktimës, bëri thirrje që ngjarja të zbardhet sa më parë, dhe autorët të shkojnë para drejtësisë.

“Kjo është vrasje nga të gjitha anët, me gjakftohtësinë më të madhe, nuk është një vrasës, kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë. Kushdo që ka guxuar mos të guxojë më. Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, çdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet. Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur? Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?”

Për vrasjen e Egli Progës në pranga ka rënë Denis Meçe, i cili dyshohet se është autori që ka dhunuar për vdekje 42-vjeçarin. Policia e Korçës njoftoi se në pranga kanë rënë Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, pasi ata sipas policisë kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Kjo ngjarje ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, të urdhërojë inspektim në drejtorinë vendore të policisë së Korçës nëse janë zbatuar detyrat e strukturave të rendit lidhur me këtë krim./abcnews.al