Danimarka impresionon sërish, mposht Çekinë dhe “fluturon” në gjysmëfinale

0
144

Danimarka nuk zhgënjen dhe vijon të mahnisë në Kampionatin Europian pas asaj drame të fortë në nisje kur humbi Eriksen nga skuadra. Skuadra e Hjulmand mposhti 2-1 Republikën Çeke duke prerë biletën për në gjysmëfinalen e Euro 2020.

Danezëve u mjaftoi vetëm një pjesë për të siguruar kualifikimin edhe pse pjesa e dytë ishte paksa vuajtëse për ta.

Që në minutën e pestë, Delaney kaloi në avantazh nordikët pas një goditje dënimi ku plotësisht I lënë vetëm ai çoi topin në rrjetë. Vijimi i ndeshjes është i qetë teksa çekët nuk janë në gjendje të reagojnë dhe kjo i jep mundësi Kjaer me shokë të dyfishojnë rezultatin me Dolberg i cili devijoi saktësisht një krosim nga e majta.

Me një avantazh 2-0, Danimarka e nis lehtë pjesën e dytë ndërsa Çekia shton presionin dhe menjëherë në 49’ rihap ndeshjen i përhershmi Patrik Schick me një gjuajtje mjeshtërore që befason Schmeicel.

Janë çekët që insistojnë në minutat në vazhdim dhe nordikët përpiqen të zënë në befasi në kundërsulme ekipin kundërshtar dhe në disa raste rrezikon me Poulsen dhe Braithwaite por pa ia arritur. Çekia përpiqet me disa gjuajtje të bëjë më të mirën ndërsa rezultatin nuk ndryshon dhe fitorja çon direkt Danimarkën në gjysmëfinale në pritje të duelit tjetër, Ukrainë-Angli.